E Diel, 1 Nëntor 2026

Korçë, vdes gjatë lindjes nëna 22-vjeçare

Ndërron jetë në maternietin e Korçës një nënë e re gjatë lindjes së fëmijës së saj. Erjola Dinoshi, 22 vjeç ka vdekur pasi ka lindur fëmijën e saj të dytë, si pasojë e pakujdesisë së mjekëve. Sipas burimeve, mësohet se 22-vjeçarja ka lindur një fëmijë të seksit mashkull natën e mbrëmshme, ndërsa sot në mëngjes ka ndërruar jetë për shkak të hemoragjisë.

Burime nga materniteti i Korçës kanë theksuar për “Ora News” se gruas 22-vjeçare, mjekët i kanë kërkuar fillimisht rryshfet mirëpo viktima nuk ka patur mundësi financiare për të paguar mjekët, e si pasojë ka gjetur vdekjen sot në orët e para të mëngjesit. Pas vdekjes së të resë dhe protestave të familjarëve të saj, policia e Korçës ka nisur një hetim për ngjarjen, ndërsa trupi i pajetë është çuar për një ekspertizë mjeko-ligjore në morgun e spitalit rajonal të Korçës.

22-vjeçarja Dinoshi sipas mjekëve dhe deklarimeve të tyre të para për grupin e hetimit ka vdekur nga hemoragjia, ndërkohë që familjarët pretendojnë të kundërtën. Ata kanë pohuar se për të renë nuk janë kujdesur siç duhet, ndërsa është kërkuar dhe ryshfet. Pas kësaj vdekje grupi i hetimit ka nisur të mbledhë dëshmitë e para, ndërsa dy janë pistat ku janë përqëndruar hetimet e policisë. Pista kryesore është ajo e vdekjes së pacientes nga pakujdesia, por dhe e mitmarjes. Gjithçka pritet të zbardhet e plotë dhe pas aktit të ekspertizës mjeko-ligjore që do të dalë nga autopsia e kufomës.

Ndërkaq fëmija që ka sjellë në jetë nëna gëzon shëndet të plotë dhe do të qëndrojë edhe për disa ditë në maternitet. Hetimet vazhdojnë, ndërkohë që nuk është hera e parë që mjekët e Korçës vihen nën akuzë për vdekje pacientësh gjatë mjekimit në institucionet shëndetësore.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›