E Shtunë, 31 Tetor 2026

Video-përgjimi, Prokuroria kërkon 2 vjet burg për Ilir Metën

TIRANE - Prokuroria ka dhënë sot pretencën për ish-kryeministrin Ilir Meta, në lidhje me video-përgjimin Meta-Prifti. Pas rreth 20 seancave gjyqësore dhe dëshmive të dhjetëra personave të përfshirë direkt apo indirekt në këtë çështje, organi i akuzës kërkoi cilësimin fajtor të kryetarit të LSI-së.

Prokurori i çështjes, Bujar Sheshi kërkoi dënimin me 2 vjet burg dhe 1 milion lekë gjobë për kryetarin e LSI-së, i akuzuar për korrupsion aktiv.

Prokurori Sheshi  theksoi se organi i akuzës e konsideron të besueshme dëshminë e ish-ministrit të Ekonomisë Dritan Prifti, sipas të cilit Meta ka favorizuar kompani të caktuara për ndërtimin e HEC-eve dhe ankandeve të naftës.  Sipas prokurorit, dëshmia e Priftit mbështetet nga prova direkte dhe indirekte dhe kryesisht nga tabulatet telefonike.

Prokurori i çështjes rindërtoi të gjithë video-përgjimin e transmetuar në televizion rreth një vit më parë, ku Meta i kërkon Priftit favore për një hidrocentral në Shushicë dhe një ankand nafte. Prokuroria e cilësoi videon si autentike dhe të patjetërsueshme dhe konsideron se ekspertiza e kryer nga 3 ekspertët shqiptarë nuk dha përfundime reale dhe nuk pati baza shkencore.

Ndërkohë, prokuroria e konsideron të pavlefshme dëshminë e bizesmenit Bekim Halilaj për ankandin e naftës bruto, i cili pretendon se Meta nuk ka pasur asnjë ndikim në ankandin e naftës. Sipas organit të akuzës, dëshmia e Halilajt kundërshtohet nga tabulatet telefonike, të cilat vërtetojnë se ai ka folur 192 herë në telefon me Ilir Metën.

AVOKATËT E METËS KËRKOJNË PUSHIMIN E ÇËSHTJES
Avokatët e Ilir Metës kundërshtuan pretencën e Prokurorisë dhe kërkuan pushimin e çështjes ndaj klientit të tyre. Në konkluzionet e tyre, avokatët pretendojnë se akuza e Prokurorisë nuk vërtetohet.
Ndërkohë trupi gjykues është tërhequr për marrjen e vendimit.

SEANCA E KALUAR
Seancën e kaluar, Gjykata e Lartë pranoi kërkesën e Prokurorisë për të administruar si prova orën kamer, laptopin dhe USB-në e Dritan Priftit. Gjykata nuk mori parasysh kërkesën e Prokurorisë për të dëgjuar dhe parë në seancë video-përgjimin “Meta-Prifti”. Gjithashtu gjykata rrëzoi edhe kërkesën për të administruar të gjitha materialet mediatike që kanë të bëjnë me video-përgjimin.

Gjykata e Lartë pranoi të marrë në administrim dhe një pjesë të provave te paraqitura nga pala mbrojtëse, siç është një dokument i marrë nga kompania Albpetrol, në të cilin dëshmohet se kompania “Dea Construction”, me administrator Adrian Gjillarin, ka fituar ankandin e naftës bruto.

Sipas provave shkresore të paraqitura nga mbrojtja, kjo është bërë në konflikt të hapur interesi, pasi bashkëshortja e ish-ministrit të Ekonomisë Dritan Prifti ka qenë ortake me fituesin e ankandit të Albpetrol-it, administratorin Adrian Gjillarin.

PRIFTI PARALAJMËRON PUBLIKIMIN E VIDEOVE TE REJA
Një ditë më parë, Prifti deklaroi se sapo të mbyllet kjo çështje, Metës do i hapet një tjetër.

“Sa të mbyllen hetimet shqiptareve do tua tregoj unë videon Prifti-Beqiri. Do t'i tregoj pjesët me zë dhe figurë që censuron Meta dhe si ai trajton marrëdhëniet me miqtë dhe ndërkombëtaret. Meta s'ka shpëtim. Pasi t'ia mbyllë gjykata me lekë ketë çështje, atij do t'i hapet tjetra menjëherë. Do t'ju tregoj me zë dhe figure vjedhje të reja dhe të vjetra të çiftit Meta-Kryemadhi. S'ka burrë që më bën mua shantazh. Do ishte mire që kryesia ta dëgjonte videon me zë dhe të plotë për të kuptuar se cili është kryetari i tyre. Unë angazhohem që 2012 të jete viti i transparencës dhe të vërtetës për çdokënd që pretendon të qeverisë këtë vend",- deklaroi Prifti

(er.nurcelli/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›