Ekstradohet drejt SHBA-së mashtruesi i 2 milionë USD
Ekstradohet në Amerikë Gjergj Hajati, i cili u arrestua në muajin mars, pasi akuzohet se ka vjedhur nëpërmjet mashtrimit rreth 2 milionë dollarë. Ai u është dorëzuar në Rinas mareshalëve të SHBA-së, të cilët ndihmuan edhe në arrestimin e tij, teksa ai po tentonte të hynte në Shqipëri nga kufiri me Malin e Zi. Burimet policore shpjeguan se Interpol-Tirana e dorëzoi këtë person mëngjesin e djeshëm në Aeroportin e Rinasit, ku kishin ardhur për ta shoqëruar dy përfaqësues të Zyrës Mareshal nga Konektikati i SHBA-së. Për 31-vjeçarin shqiptar, i cili njihet me emrin George Hajati, ishte lëshuar urdhër arresti që më 24 janar të një viti më parë nga Gjykata e Distriktit të Konektikatit. Pak kohë më parë, Gjykata e Tiranës ka vendosur pro ekstradimit të tij në drejtim të SHBA-së, i cili akuzohet për mashtrim me postë. Ai akuzohet se ka përfituar me anë të mashtrimit rreth dy milionë dollarë amerikanë nga bankat lokale. Pak ditë para shpalljes në kërkim nga agjentët e FBI-së, shkodrani me shtetësi amerikane, Gjergj Hajati, është larguar nga SHBA-ja, ndërsa kishte marrë rrugën e rikthimit në Shqipëri, duke tentuar të futej nëpërmjet Malit të Zi. Me kërkesë të zyrës federale të FBI-së, Gjykata e Distriktit të Konektikatit në Harford, ka caktuar më 24 janar 2008 ndaj shkodranit masën e sigurisë "arrest me burg" në mungesë. Nga ana tjetër, Interpol-Tirana ka sjellë nga Austria një të dënuar shqiptar për vrasje. Burimet policore bënë të ditur se pasditen e së premtes, rreth orës 16.20, në Aeroportin e Rinasit, u ekstradua nga Austria e iu dorëzua Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve, shtetasi në kërkim Artan Lekë Marashi, 37 vjeç, banues në Pukë. Ky person u ekstradua, sepse Gjykata e Rrethit Shkodër, me Vendim Nr. 262, të datës 22 nëntor 2002, e ka dënuar me 15 vjet burg, për vrasje me dashje dhe armëmbajtje pa leje.