E Diel, 1 Nëntor 2026

Sarandë, dy të dyshuar me AH1N1

Pas shqiptaro-amerikanes Tamara M., dyshohet se janë bartës të virusit edhe dy persona të tjerë. Pas konfirmimit të rastit të parë me grip derri, edhe në spitalin e Sarandës janë duke u marrë masa për të përballuar trajtimin apo izolimin e rasteve me AH1N1.

Mësohet se janë duke u plotësuar me materiale mbrojtëse një pjesë e mirë e pavijoneve të spitalit "Petro Nako" të Sarandës.

Mendohet se do të shtohen edhe vende të reja pune në radhët e infermierëve, enkas për të qenë në gatishmëri të plotë për pandeminë e gripit të derrave. Në spitalin e Sarandës, pacientëve që shfaqin simptoma të virozës së stinës u bëhen analizat, u merren kampione dhe më pas ato dërgohen për ekzaminime të specializuara në Tiranë. Në vazhdën e masave, spitali ka ngritur dhe kompletuar dy dhoma izolimi pranë shërbimit Infektiv.

Ditën e djeshme, një shërbim kontrolli është hapur edhe në afërsi me terminalin e udhëtarëve në Portin e Sarandës. Pavijoni ka pajisjet më të domosdoshme për kontrollin rutinë. Është i punësuar një infermier, i cili pyet, pret e përcjell udhëtarët që paraqesin shqetësime të virozës së zakonshme të stinës.

Infermieri Muhamet Veliqoti tregon se kjo është detyra e tij e përditshme dhe për çdo rast pas kontrollit paraprak janë të gjitha mundësitë për transportimin e personit që gjykohet se e ka të nevojshme të transportohet për në spital, ku u nënshtrohet analizave paraprake.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›