E Shtunë, 31 Tetor 2026

BB: 12 miliardë USD për krizën ekonomike

Ndikimi i krizës ekonomike në shumë vende të botës do të jetë i madh, dhe për këtë shkak, Bordi Drejtues i Bankës Botërore në Uashington, SHBA, vendosi lëvrimin e 12.5 miliardë dollarëve. Ky fond do të shkojë për vendet e Europës dhe Azisë Qendrore. Vendimi është marrë dy ditë më parë dhe i referohet situatës fiskale për vitin 2009, ndërkohë që Banka Botërore ka analizuar edhe ngjarjet e vështira të vitit të kaluar, kur institucioni më i madh financiar lëvroi rreth 8 miliardë dollarë. Këto para kanë shkuar në mbështetje të vendeve anëtare të BB-së, kryesisht për qëndrueshmërinë e buxhetit në investime, si dhe për sektorin privat. Ndërhyrjet e BB-së për vendet në vështirësi kanë qenë të menjëhershme, duke synuar frenimin e rrënimit ekonomik nga kriza financiare. Sipas BB-së, shumë vende të Europës dhe Azisë Qendrore-ECA, janë në vështirësi, pasi ishin të pozicionuara nga goditjet e krizës ekonomike. Efektet e recesionit janë shfaqur në përkeqësimin e deficitit të llogarisë korrente, rritjen e borxheve, rënie të kreditimit dhe të ardhurave nga emigrantët, përfshi këtu edhe mungesën e investimeve të huaja. Duke u ndalur te Shqipëria, raporti mbi situatën fiskale të ECA-s, thotë se BB ka marrë përsipër të garantojë riskun e privatizimit të OSSH-së, duke kontribuar me rreth 78 milionë dollarë kredi, në favor të shtetit shqiptar. "Pas një dekade me rritje të konsiderueshme të ekonomisë dhe reduktimit të varfërisë, i gjithë rajoni i ECA-s, është goditur keq nga kriza", thotë, zv.presidenti i Bankës Botërore, Shigeo Katsu. Ai theksoi se, do të vijojë mbështetja për vendet e ECA-s, duke u fokusuar në rritjen e punësimit, mbrojtjen e konsumatorëve dhe stabilizimin e sektorit financiar.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›