E Diel, 1 Nëntor 2026

Familjarët e ish-deputetit: Zbardhni krimin, ose vetëgjyqësi

Tre muaj pas vrasjes të ish-deputetit të Partisë Socialiste, Fatmir Xhindi, familjarët vijojnë të bëjnë apel për zbardhjen e ngjarjes dhe gjetjen e autorëve. Të mbuluar nga dhimbja që i ka pushtuar nata e 2 majit të këtij viti 2009, nëna, bashkëshortja, djemtë dhe vëllezërit e Xhindit e veshin me motive politike ekzekutimin e deputetit 49-vjeçar. Nëna e deputetit është shprehur: "Dua autorin se kush më vrau djalin, asgjë më shumë". Sipas saj, shteti ka heshtur prej kaq kohësh, por nuk duhet të heshtë tani kur zemra e nënës është me dhimbje, aq më shumë që autori ende nuk është gjetur. Edhe bashkëshortja e Fatmir Xhindit, Xhemilja, ka akuzuar për mungesë të angazhimit të të gjitha strukturave të shtetit. "Po të dojë shteti, e gjen brenda pak minutash autorin e një ngjarjeje, kurse me rastin e bashkëshortit tim nuk veproi. Ne, si familjarë të Fatmirit, akuzojmë se shteti ka vetë dorë në këtë vrasje, ndaj po hesht aktualisht. Kemi pritur dhe shpresuar prej tre muajsh, por më kot. Edhe ministri Bujar Nishani premtoi në televizor që do ta gjejë autorin shumë shpejt. I bëjë thirrje se ku e ka dhe pse nuk e nxjerr", ka thënë bashkëshortja e deputetit. Në familjen e deputetit të vrarë mbrëmjen e 2 majit të kaluar, nuk kanë reshtur vizitat ngushëlluese.

Të gjithë të afërmit janë shpërngulur në banesën e tij dhe përditë luten e betohen përballë fotove të Fatmirit dhe varrit të tij për gjetje autorësh dhe për vetëgjyqësi nëse shteti vijon të hezitojë për nxjerrjen e një autori. "Ne kemi pritur që të dilte autori dhe motivi për vrasjen e pazakontë të vëllait tonë. Në rast se kjo neglizhencë e shtetit vijon, ne do të gjejmë forma të tjera për ta çuar të drejtën në vend. Kemi pritur mjaft nga shteti dhe kjo na bën që të dyshojmë se struktura të tij kanë dorë vetë në këtë vrasje", thonë vëllezërit e Xhindit. Sybiu, një prej tyre, ka shtuar se "do të përdorim të gjitha mënyrat për ta zbardhur të vërtetën që na rëndon. Po të ishte për pronë a për ndonjë motiv tjetër, policia, prokuroria dhe autoritetet e tjera do ta kishin nxjerrë tashmë një autor. Por ne jemi të bindur, sot më shumë se kurrë, që shteti është autor". Burrat e familjes Xhindi diskutojnë edhe rolin e Partisë Socialiste në këtë ngjarje. Ata kanë deklaruar se kjo forcë politike nuk ka kërkuar me tone të ashpra zbardhjen e ngjarjes. "Shpresuam që jo vetëm para fushatës, por edhe gjatë saj, PS-ja të kërkonte autorët me ‘forcë‘, por nuk e pamë një angazhim të tillë dhe sot nuk po e shohim. Apelin që bëjmë për autoritetet shtetërore e bëjmë edhe për strukturat drejtuese të partisë në rreth dhe në qendër", thonë familjarët e deputetit.

Të gjithë familjarët dhe të afërmit e Xhindit nuk ngurrojnë të thonë edhe "të rejat" që kanë mësuar nga këto tre muaj. Në bisedat e tyre kuptohet se ata flasin për ndërhyrje të Interpolit në këtë ngjarje dhe angazhim të kësaj strukture për të zbardhur përfundimisht autorin e vrasjes. Një prej vëllezërve të Fatmir Xhindit deklaron përpara mediave të pranishme se "Fatmiri është vrarë ditën e shtunë, kurse gjatë gjithë asaj jave në Kurjan, Roskovec, dhe disa fshatra të tjerë të zonës, ka zhvilluar takime deputeti Sokol Olldashi".

Ndërkohë, drejtues të policisë së Fierit janë shprehur për gazetën "Shqip" se po vijojnë me intensitet hetimet për ngjarjen në fjalë. Lidhur me faktet e reja që servirin familjarët, shefi i krimit të organizuar në drejtorinë e policisë së qarkut, Zigur Bizha, ka thënë se nuk është në dijeni të këtyre fakteve. "Ende nuk kemi një autor të dyshuar, por shpresoj që me ecurinë e hetimeve shumë shpejt do të ketë diçka konkrete për këtë rast", ka thënë Bizha për gazetën. Sipas të dhënave, numri i dëshmitarëve dhe i personave të pyetur për këtë dosje ka kaluar të 500 personat. Ndërkohë që ngjarja ka pasur shumë pista të dyshuara, por nga hetimi i tyre asnjë nuk ka rezultuar se kishte lidhje me vrasjen e deputetit.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›