Gjendet i varur 23-vjeçari nga Mallakastra
Gjendet i varur në orët e para të mëngjesit të së premtes 23-vjeçari, Flatun Shehaj, me banim në Sarandë, i ardhur vite më parë nga Kuta e Mallakastrës. Burime nga Komisariati i Sarandës thanë se trupi pa jetë i të riut është gjetur i varur në një objekt në ndërtim e sipër në afërsi të bar-diskotekës "Barrakuda", në zonën më turistike të Sarandës, në kilometrin 2 të aksit rrugor Sarandë-Kanali i Çukës. Rojet e këtij objekti kanë njoftuar policinë lokale të Sarandës, pasi kanë parë trupin pa jetë të të riut, që lëkundej i varur në një nga kolonat e objektit. Pasi është transportuar për në morgun e spitalit të Sarandës, kufoma i është nënshtruar ekspertizës mjekësore. Ndërkaq mësohet se kanë nisur hetimet nga ekspertë të krimeve të rënda të Komisariatit të Policisë së Sarandës. Nga akti i ekspertizës dhe hetimet fillestare, dyshimet më të forta për varjen e Flatun Shehajt janë ato të vetëvarjes. Por nuk është përjashtuar edhe pista e hetimit për mundësinë e ekzekutimit të 23-vjeçarit nga persona të tjerë, duke qenë se Shehaj figuron si kontingjent i policisë. Sipas burimeve policore, në nëntorin e vitit 2007, Shehaj është arrestuar për veprën e "dhënies së ndihmës për kalim të paligjshëm të kufirit me qëllim përfitimi", duke u akuzuar për marrjen e 1800 eurove për person në shkëmbim të kalimit klandestin të kufirit. Para kësaj, ai ka qenë i dënuar për veprën penale të vjedhjes së banesës, ndërsa në korrik të 2005-ës, Shehaj është kapur në pikë-kalimin kufitar të Qafë Botës si person në kërkim, pasi nga Gjykata e Fierit ka qenë i dënuar me 6 muaj burg, për vjedhje banese dhe është arratisur nga burgu.