Ekstradohet nga Greqia 60-vjeçari

Interpol Tirana ka ekstraduar nga Athina, Greqi, drejt vendit tonë, shtetasin shqiptar Ziko Alush Lena, lindur në Pogradec.
60-vjeçari ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar, pasi Gjykata e Krimeve të Rënda Tiranë, me vendim nr. 19, datë 05.04.2006, e ka dënuar këtë shtetas me 21 vjet burg për kryerjen e veprës penale të "Trafikimit të të miturve".
Shtetasi Ziko Lena, në dhjetor të vitit 2001 ka siguruar kalimin e një shtetaseje shqiptare drejt Greqisë, duke e strehuar atë në një klinikë në Greqi, pasi shtetasja në fjalë ishte shtatzënë. Pas lindjes së fëmijës, shtetasi Ziko Lena i ndihmuar edhe nga bashkëshorti i gruas e kanë shitur fëmijën kundrejt shumës së 500.000 lekëve dhe e kanë kthyer sërish shtetasen në Shqipëri.
Si rezultat i bashkëpunimit të Interpol Tirana me Interpol Athinën, u bë i mundur arrestimi me qëllim ekstradimi drejt vendit tonë, i shtetasit Ziko LENA.
Në aeroportin "Nënë Tereza" në Rinas ky shtetas i është dorëzuar përfaqësuesve të Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve.