E Diel, 1 Nëntor 2026

Kuzhe i pakënaqur me fomën e lojtarëve të Kombëtares

TIRANë- Pasi ka ardhur në Tiranë për të ndjekur formën e lojtarëve të kampionatit shqiptar që mund të bëhen pjesë e Kombëtares në 2 miqësoret e radhës, trajneri i Kombetares shqiptare, Josip Kuzhe ka analizuar disa nga lojtarët e Superliges kandidat per te veshur fanelen kuqezi.

“Sigurisht gjatë gjithë kohes ndjekim dhe vëzhgojmë formën e të gjithë lojtarëve . Por nuk jam i kënaqur 100% pasi disa lojtarë nuk luajnë në klubet e tyre. Gjithesesi ky është një problem që ka ekzistuar edhe më parë. Kryesorja është që lojtarët nuk kanë probleme me shëndetin, nuk kanë dëmtime, duke përjashtuar këtu Lalën, i cili u operua javën e shkuar, por shpresojmë që të jetë gati për të luajtur në ndeshjen eliminatore ndaj Rumanisë”, thekson kroati.

Sa i përket emrave të rinj që mund të vijnë nga Superliga, Kuzhe pretendon më shumë nga ato pak emra që mendon të grumbullojë. “Do të më pëlqente që të kishim një grup më të madh lojtarësh që mund të aktivizohen me Kombëtaren.

“Aktualisht kemi rreth 25 lojtarë. Po shoh rreth 4-5 lojtarë që mund të grumbullohen nga Superliga si Muzaka, Vila, Lila, Bakaj, por edhe Veliaj i Laçit. Gjithashtu jam duke parë lojtarë të tjerë që luajnë jashtë e që mund të aktivizohen me përfaqësuesen. Njëri që mund të përmend është Edgar Cani i cili luan në Itali, por ka edhe disa të tjerë”, shton Kuzhe.

Testi i radhës i përfaqesueses shqiptare janë dy ndeshjet miqësore me Malin e Zi në Podgoricë më 25 maj dhe me Andorën më 2 qershor.
“Ndeshjet e radhës miqësore janë shumë të rëndësishme, pasi po të flasësh për Andorën, presupozon një ndeshje që nuk do të jetë e bukur, por për ne është vërtet një test, pasi ndeshjen e parë eliminatore ne do ta zhvillojmë me Luksenburgun, një skuadër me një lojë të ngjashme. Apo miqesorja me Malin e Zi, një skuadër që ka një lojë të ngjashme me Rumaninë. Për këtë arsye jam shumë i kënaqur me këto kundërshtarë”, u shpreh trajneri i Kombëtares, Josip Kuzhe.

(d.b/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›