E Diel, 1 Nëntor 2026

Ekstradohet nga Italia trafikanti i të miturve

Ekstradohet nga Itali 30 vjecari i dënuar për trafik fëmijësh. Sipas vendimit të gjykatës i riu kishte trafikuar dy të mitur në Greqi , me qëllim shfrytëzimi si lypësa dhe i kishte ushtruar dhunë fizike dhe psikike mbi to. 

TIRANE- Interpol Tirana bëri të mundur ekstradimin nga Italia të një 30 vjecari i cili është dënuar me 16 vjet burg për trafik të miturish. Ekstradimi i Xhemal Korrës, nga Elbasani u bë i mundur dje pasi Gjykata e Rrethit Gjyqësor Elbasan, me vendimin nr.315, datë 14.10.2003, ka vendosur masën e sigurisë “Arrest në burg”. Ai akuzohet për kryerjen e veprës penale të « Trafikimit të fëmijëve », në bashkëpunim, parashikuar nga neni 128/b, paragrafi i dytë i Kodit Penal. Gjykata e Shkallës së Parë për Krimet e Rënda me vendimin nr.14, datë 25.06.2004, e ka dënuar 30 vjecarin me 16 vjet burg.
Sipas vendimit të gjykatës, Xhemal Korra në bashkëpunim me të atin Agron Korra, gjatë periudhës 1999-2000, kanë trafikuar në Greqi të miturit D.F dhe Xh. F, me qëllim shfrytëzimi si lypësa. Fillimisht është shfrytëzuar i mituri D., i cili ka qenë 12 vjeç në periudhën që është dërguar në Greqi dhe më pas e motra e tij e mitur Xh. Të ardhurat që siguronin duke lypur të miturit ia jepnin të pandehurve Xhemal dhe Agron Korra, të cilët ushtronin mbi to dhunë fizike dhe psiqike, ku i mituri D. ka ende shembje në këmbë. Rreth 300.000 dhrahmi në muaj ata ia dërgonin prindërve të të miturve. Shfrytëzimi ka vazhduar për dy vjet dhe në disa raste janë kapur nga policia e janë dërguar në Shqipëri por me ndihmën e të pandehurvë janë rikthyer në Greqi deri në momentin kur i dëmtuari D. është goditur nga një makinë në semafor dhe është shtruar në spital. Më pas është dërguar në një shtëpi fëmijësh e quajtur « Papaf » së bashku me motrën e tij.

(s.g/BalkanWeb)



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›