E Diel, 1 Nëntor 2026

Ekstradohet nga Kroacia shqiptari, i dënuar me 15 vjet burg për mashtrim

TIRANË- Zyra Qendrore Kombëtare Interpol Tirana, ekstradoi në orët e para të mëngjesit të sotëm nga Zagrebi, Kroaci, në drejtim të vendit tonë, shtetasin kosovar Lulëzim Gani Shala, 34 vjeç, banues në Prizren.

Ky shtetas ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar, pasi Gjykata e Rrethit Gjyqësor Korçë, me vendim të datës 6 korrik 2012 e ka dënuar atë me 15 vjet burg, për kryerjen e veprës penale të "mashtrimit”.

I ekstraduari Lulëzim Shala, së bashku me shtetasin Bekim Muhadri, kanë ushtruar aktivitet privat në fushën e prodhimit të bukëve në qytetin e Korçës. Gjatë ushtrimit të aktivitetit të tyre kanë mashtruar shtetas të ndryshëm duke ju marrë furnizim me miell dhe duke mos ju likuiduar faturat.

Po ashtu, furnizuesve të ndryshëm u kanë marrë, nëpërmjet mashtrimit, shuma të konsiderueshme lekësh, të cilat nuk i kanë kthyer. Shuma e përgjithshme e përfituar prej tyre nëpërmjet mashtrimit është 21.000.000 Lek. Si rezultat i bashkëpunimit të Interpol Tirana me Interpol Zagrebin u bë i mundur arrestimi i tij me datë 1 dhjetor 2012 në Kroaci, me qëllim ekstradimi drejt vendit tonë. Në aeroportin “Nënë Tereza” në Rinas ky shtetas iu dorëzua përfaqësuesve të Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve.
(m.a/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›