E Diel, 1 Nëntor 2026

Ekstradohet nga Turqia kreu i bandës së Lushnjës, Aldo BareNga TemaI cilësuari si krimineli më i frikshëm në Shqipëri, Alfred Shkurti apo siç njihet nga të gjithë me emrin Aldo Bare, është ekstraduar dje nga Turqia. Kreu i bandës së Lushnjës, mbi të

Nëse dëshironi të lexoni edicionin online të gazetës në PDF klikoni këtu.

Ekstradohet nga Turqia kreu i bandës së Lushnjës, Aldo BareNga Tema

I cilësuari si krimineli më i frikshëm në Shqipëri, Alfred Shkurti apo siç njihet nga të gjithë me emrin Aldo Bare, është ekstraduar dje nga Turqia. Kreu i bandës së Lushnjës, mbi të cilin rëndojnë mbi 20 vrasje, është sjellë me një avion charter, nën masa të larta sigurie. Aldo Bare u arrestua në Ankara para tre vjetësh, ndërsa ekstradimi i tij u vu në dyshim serioz, për faktin se kërkohej edhe nga shteti italian, ku akuzohet për trafik droge. Por ekstradimi i tij u vështirësua edhe për pasojë të deklaratave politike dhe veçanërisht të kryeministrit Berisha, çka bëri që Bare të pretendonte se arrestimi i tij ishte politik. Historia kriminale e ish-oficerit të policisë, Alfred Shkurti, nis në vitin 1997, kur ekzekuton në mes të qytetit të Lushnjës dhe i pret kokën vrasësit të vëllait, Artur Dajës. Që prej asaj kohe ai krijon një nga bandat më të egra të vend, e cila mori tiparet e një organizate të vërtetë kriminale.

Ekstradimi

Me një charter special, paraditen e djeshme, rreth orës 10:00, kreu i bandës së Lushnjës, Aldo Bare, është sjellë nga Ankaraja me pranga në duar. Aeroporti i Rinasit ka qenë i tejmbushur me forca policie, të cilat kanë shoqëruar Baren për në ambientet e burgut 313 në Tiranë. Për këtë arsye, aksi Rinas-Tiranës është bllokuar plotësisht, deri në shoqërimin e tij në burg. Njeriu më i përfolur në botën e krimit në vend është sjellë në Shqipëri në një fshehtësi të plotë, ndërsa tashmë ai do të përballet në Gjykatën e Krimeve të Rënda me dy procese gjyqësore, një ku akuzohet bashkë me pjesëtarët e tjerë të bandës së Lushnjës dhe një tjetër proces individual. “Sot, më datë 25.11.2009, u ekstradua nga Turqia, Alfred Shkurti, alias Aldo Bare, drejtuesi i organizatës kriminale të njohur si banda e Lushnjës. Siç jeni vënë në dijeni me kohë, Aldo Bare, si rezultat i bashkëpunimit, u arrestua nga policia turke në Ankara, më datë 25.3.2006 dhe në përfundim të procedurave u ekzekutua vendimi i ekstradimit për në Shqipëri. Për më se një dekadë (10 vjet) Aldo Bare ka qenë në kërkim, por masat aktive u aktivizuan në vitin 2006, kohë në të cilën Policia e Shtetit arriti të godiste me sukses anëtaret e bandës së tij kriminale, që jetonin e vepronin në Shqipëri”, - bëri të ditur Policia e Shtetit në një komunikatë për shtyp. Sipas kësaj të fundit, ekstradimi i Aldo Bares drejt vendit tonë përbën një sukses të rëndësishëm të Policisë së Shtetit. “Arrestimi dhe ekstradimi i Aldo Bares përbën një sukses të padiskutueshëm të policisë shqiptare, i cili u arrit si rezultat i një pune inteligjente dhe duke bashkëpunuar edhe me partnerët ndërkombëtarë, nëpërmjet së cilës u finalizua identifikimi i plotë i këtij personi, i cili maskohej me emra të ndryshëm, nëpërmjet pasaportave të falsifikuara me emrat falsë Mikel Kodra, Artur Sallabanda etj”, - pohoi Policia e Shtetit. Tashmë Aldo Bare do të përballet me drejtësinë shqiptare, së cilës i është shmangur për vite me radhë.

Arrestimi dhe procedurat e ekstradimit

Aldo Bare u arrestua në mars të vitit 2006 në Ankara, me identitetin e rremë Mikel Kodra. Arrestimi i tij u krye në një kohë që në Shqipëri arrestoheshin edhe anëtarët e tjerë të bandës së Lushnjës. Operacioni për arrestimin e tij dhe anëtarëve të tjerë të bandës është konsideruar më i rëndësishmi për policinë shqiptare. Një pjesë e të akuzuarve si anëtarë të bandës së Lushnjës tashmë janë gjykuar dhe dënuar, ndërsa të tjerët janë në proces gjykimi në Gjykatën e Krimeve të Rënda. Akuzat ndaj tyre arritën që të vërtetoheshin nga ish-anëtari i kësaj bande, Petrit Liçi, i cili vendosi që të bashkëpunojë me drejtësinë. Por ekstradimi i Aldo Bares në vendin tonë u vu në dyshim serioz, për shkak se Bare akuzohet edhe në shtetin fqinj të Italisë për trafik droge. Avokatët e tij bënë një luftë të madhe, në mënyrë që ai të ekstradohej pikërisht në vendin fqinj. Në argumentet që ata përdorën se përse Bare duhej të ekstradohej në Itali dhe jo në Shqipëri, ishin disa deklarata të kryeministrit Berisha, që e cilësonte arrestimin e tij një sukses të qeverisë. Këto deklarata ata janë përpjekur që t’i konsiderojnë si një sulm politik ndaj Bares dhe për këtë arsye kanë kërkuar që ai nuk duhet të ekstradohet në asnjë mënyrë. Kur shpresat e drejtësisë shqiptare kishin humbur për ekstradimin e tij, një gjë e tillë ka ndodhur orët e para të ditës së djeshme. Aldo Baro tashmë do të përballet me drejtësinë e vendit tonë, ku dhe akuzohet për një mal veprash kriminale, mes të cilave drejtimi i një organizate kriminale, vrasje, akte terroriste, trafik ndërkombëtar etj. Aktualisht ndaj tij janë duke u zhvilluar dy procese gjyqësore në Gjykatën e Krimeve të Rënda.

Disa prej akuzave që rëndojnë ndaj Aldo Bares dhe bandës së tij

Aldo Bare dhe organizata e tij kriminale akuzohen për:

- Vrasjen dhe dekapitimin (prerjen e kokës dhe shëtitjen në publik) të Artur Dajës në qytetin e Lushnjës

- Vrasjen në qendër të qytetit të shtetasit shqiptaro-maqedonas Xhevat Demiri,

- Vrasjen për shkak të cilësive të veçanta, mbetur në tentativë, të shefit të Komisariatit të Policisë Lushnjë, Sinan Meta

- Vendosjen e lëndës eksplozive me telekomandë në stadiumin e futbollit të qytetit të Lushnjës

- Vrasjen në vitin 2000 të inspektorit të Policisë Kriminale, Klejdi Bano

- Vendosjen në vitin 2001 të eksplozivit në banesën e inspektorit të Policisë së Rendit, Idriz Shuli

- Vrasjen në janar të vitit 2005 të Klodian Haxhiut

- Vendosjen në mars të 2005 të eksplozivit në banesën e një punonjësi policie në rrugën “Don Bosko”, në Tiranë

- Vendosjen e minës me telekomandë në makinën e ish-drejtorit të Policisë Kriminale, Xhavit Shala

- Vrasjen në vitin 2005 të biznesmenit Baki Taullau

- Vrasjen e ish-kryetarit të SHIK të rrethit Lushnjë, Bashkim Shkurti

- Vrasjen e ish-nënkryetarit të Bashkisë së Lushnjës, Drago Voshtima

- Aldo Bare akuzohet gjithashtu për drejtimin e njërit prej rrjeteve më të fuqishme të trafikut ndërkombëtar të drogës në drejtim të Evropës Perëndimore.

Krijimi i bandës së Lushnjës dhe veprimtaria e saj

Vrasja e vëllait të Alfred Shkurtit, i njohur me emrin Aldo Bare, ka qenë dhe motivi i krijimit të bandës së Lushnjës, e cila më pas mori tiparet e një organizate të vërtetë kriminale, pasi, përveç eliminimit të vrasësit të vëllait të Aldo Bares dhe miqve të tij, pjesëtarët e kësaj bande filluan të merren edhe me trafikim të lëndëve narkotike, ku për një kohë të shkurtër ata u bënë trafikuesit më të mëdhenj të lëndëve narkotike. Veprimtarinë e tyre ata e shtrinë edhe në fushën e biznesit, teksa gjatë kësaj kohe u bënë zotërues të vërtetë të Lushnjës. Vrasja e parë që rëndon mbi Aldo Baren dhe miqtë e tij, pas asaj të Artur Dajës, është ajo e shqiptaro-maqedonasit Xhevat Demiri, vrasje e ndodhur më 3 gusht të vitit 1997. Viktima është ndaluar në hyrje të qytetit nga katër persona të armatosur, ku ndërmjet tyre ishin dhe të pandehurit Aldo Bare, Enver Dondollaku, Ilir Stergu dhe Afrim Hoxha, të cilët pas vrasjes janë transportuar me makinë nga Arben Boriçi. Ndërkohë, vrasjet e bandës kanë vijuar me atë të datës 13 shkurt të vitit `98, në vendin e quajtur Kolonjë të rrethit të Lushnjës, ku është ekzekutuar Nimet Zeneli. Në këtë vrasje kanë marrë pjesë Aldo Bare, Enver Dondollaku, Arben Boriçi dhe Ilir Stergu, të cilët si synim për të vrarë kanë pasur Gramoz Selmanin, shok i ngushtë i Artur Dajës, i cili udhëtonte bashkë me Nimet Zenelin dhe Masar Aliun. Një javë më vonë, me synimin e vetëm vrasjen e Masar Aliut, në rrugën Kolonjë-Bitaj të rrethit të Lushnjës, persona të armatosur, ku ndërmjet tyre ishte dhe Enver Dondollaku, i zënë pritë këtij të fundit. Ata kanë qëlluar në drejtim të këtij të fundit duke i shkaktuar vdekjen, ndërkohë që kanë qëlluar edhe në drejtim të Idajet Beqirit, i cili udhëtonte bashkë me Aliun, duke e vrarë në vend atë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›