E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kushta: Trukimet, FSHF është vetë e njollosur

 

Leonard Karaj
Federata Shqiptare e Futbollit ka pjesën e vet në meselenë e trukimeve në futbollin shqiptar. Deklarata vjen nga ish-futbollisti i Kombëtares shqiptare, Sokol Kushta.
Legjenda vlonjate lëshon një sërë akuzash për futbollin shqiptar në tërësi dhe për federatën në veçanti. Sipas tij nuk ka mundësi që për vite e vite me radhë është folur dhe stërfolur për shitje të ndeshjeve në kampionatin shqiptar si dhe trukime të takimeve të ekipit përfaqësues dhe deri tani nuk është bërë asgjë, si nga ky institucion dhe nga prokuroria jonë. “Të flasësh për trukim të ndeshjeve në vendin tonë duket sikur nuk thua ndonjë gjë të re, kjo për faktin se për vite me radhë dëgjojmë që trukohen ndeshje jo vetëm në kampionatin tonë por edhe të Kombëtares. Një stadium i tërë është ngritur në Kavajë, në Tiranë e gjetkë duke bërtitur ‘e shitët, e shitët’ dhe askush nuk ka lëvizur që të hetojë mbi këto gjëra. Më duket shumë e çuditshme por ky është realiteti”, ka pohuar Kushta në një prononcim për “Panorama Sport”.
Federata
Ish-sulmuesi i ekipit përfaqësues fajëson në mënyrë të drejtpërdrejtë federatën edhe për hetimin e nisur nga UEFA për klubin e Tiranës dhe Vllaznisë. “Që UEFA ka nisur një hetim për rastin në fjalë me siguri që ka pasur indicje dhe ka pasur prova dhe fakte për të dyshuar mbi ndeshjet e këtyre skuadrave. Tani ndonjë çudi nuk është pasi siç e thashë, edhe më lart futbolli ynë gjatë këtyre viteve ka qenë dhe vazhdon të prodhojë lajme të tilla. Nga ana tjetër një hetim i klubeve shqiptare është në dëm edhe të vetë federatës sonë, por atyre që e drejtojnë sot atë institucion nuk u intereson shumë pasi janë vetë të njollosur me trukimet e ndeshjeve. Mos harrojmë sa herë janë thënë në media për ndeshje të Kombëtares por askush nuk është drejtuar te prokuroria dhe madje edhe kjo e fundit nuk ka hetuar mbi këto gjë me themel për të parë realisht se çfarë ndodh”, ka vazhduar Sokol Kushta.
Trukimet
Më tej Kushta vë theksin edhe tek neglizhenca e drejtuesve të futbollit tonë, ata të cilët sipas tij duhet të ishin protagonistë pozitivë ndërkohë që kanë qenë në të kundërtën e tyre porsa i përket trukimit të ndeshjeve. “Unë pyes, si është e mundur që shumë njerëz, media, analistë kanë pohuar gjatë këtyre viteve se është trukuar një ndeshje futbolli, ose është shitur përballja e Kombëtares dhe nuk ka dalë askush që ta përgënjeshtrojë? Para pak kohësh Rudi Vata e tha publikisht për shitjen e ndeshjes së Kombëtares por asgjë nuk ndodhi. Ndërsa në Itali me vetëm disa përgjime telefonash shpërthyen calciopoli-n. Normalisht ai ishte vetëm maja e ajsbergut, por gjithsesi bënë diçka për të pastruar futbollin e tyre, ndërsa këtu tek ne fol sa të duash se askush, as prokuroria dhe ca më pak federata, normalisht e njollosur vetë në afera të tilla nuk bën asgjë. Merren me ca investime për ndriçimin e fushave të futbollit, një gjë e mirë, luksoze, por fatkeqësisht pa pasur fusha. E si mund të vësh ndriçimin kur ti nuk ke fushë të saktë ku të luajnë futbollistët. Ky është paradoksi në futbollin tonë”, ka përfunduar Kushta.

Hajdari
Prej rreth 72 orësh, skuadrat shqiptare janë bërë kryefjala e skandalit të trukimit të ndeshjeve në Kupat e Evropës, ndërkohë që prokuroria shqiptare nuk ka marrë ende një inisiativë hetimi. Arsyeja sipas prokurorit dhe një prej inisiatorve të bërjes së ligjit për trukimet e ndeshjeve në vendin tonë, Shkëlqim Hajdari faji është tek aktorët, protagonistët, ata që flasin në media, bëjnë deklarata të shumta nuk i drejtohet prokurorisë me faktet që disponojnë. “Nuk mund të vazhdohet më kështu. ka mëse 1 vit që ekziston ligji për trukimet por askush nuk është drejtuar qoftë për një rast të vetëm në prokurori dhe të denoncojë. Ndërsa nga ana tjetër kanë bërë deklarata të bujshme në media, kanë bërtitur por pa pasur asnjë fakt në dorë. Edhe në rastin konkret, federata, klubet dhe cilido i interesuar që mendon se Vllaznia ose Tirana kanë trukuar ndeshjet duhet ti drejtohen prokurorisë dhe që aty të nisë hetimi”, ka pohuar Hajdari.

Dinamo
Java e 12 do të startojë sot me tri ndeshje. Dinamo, kryesuese e kampionatit sot do të presin në shtëpi Kastriotin e Krujës, ndërkohë që Besa do të udhëtojë nesër në Shkodër, ku do të ballafaqohet me Vllazninë, ashtu si Apolonia, po në të njëjtën ditë, do të jetë mysafire në “Niko Dovana”, ndaj Teutës. Të hënën, javën do ta mbyllë sfida e Vlorës, që do të luhet mes Flamurtarit vendas dhe Tiranës. Ndërkohë, po sot do të luhet edhe  java e 12-të e kategorisë së parë, ku spikat kryendeshja e “Roza Haxhiut”, mes Lushnjës dhe Bylisit. Ballshiotët vijnë në këtë transfertë si të parët në grup, ndërkohë që vendasit duan të konsolidojnë pozitat e tyre në grupin kryesues. Elbasani do të presë në shtëpi Skraparin, një ndeshje e lehtë në dukje kjo, ndërsa Partizani do të marrë rrugën drejt Memaliajt të vendit të fundit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›