UEFA “peshkon” bastet e larta me gola te Tirana e Vllaznia
Sekretari i përgjithshëm i UEFA-s, Xhiani Fantino ka përmendur për herë të parë mënyrën sesi mund të jenë trukuar ndeshjen e përfolura nga UEFA, mes të cilave edhe ato të ekipeve shqiptare. Koefiçienti i ndeshjes Stabaek-Tirana (4-0) ka qenë vetëm 1.33 për fitoren e vendasve, 6 për X ose barazimin dhe 13.5 koeficienti i 2-shit apo i fitores së Tiranës. Sipas UEFA-s kjo ndeshja është luajtur me gola duke pasur koefiçientë të tillë. Shumë pak kompani, për të mos thënë asnjëra nga ato shqiptare e kishte futur këtë ndeshje në bastet e saj dhe mbi të gjitha mungonin bastet për golat. Që shënohen më shumë se 2.5 gola, koeficienti i kësaj ndeshjeje, gjithmonë sipas kompanive të huaja, ishte 1.7 apo 1.5. Sipas ekspertëve, ky është koeficienti më shumë i synuar për t’u luajtur, pasi dihet se skuadrat shqiptare nëse arrijnë të shesin ndeshje e bëjnë këtë gjë duke pësuar shumë gola. Ky është një ndër faktet e këtyre hetimeve që përjashton disi skuadrën kundërshtare nga implikimi. I njëjti dyshim sipas UEFA-s është përdorur edhe në hetimin që po bëhet për të dyja ndeshjet e Vllaznisë me Rapidin e Vjenës të luajtura më 16 dhe 23 korrik. Në fushën e tyre skuadra austriake ka pasur një koeficient 1.20, 5.5 barazimi dhe 13.00 fitorja e shkodranëve, por ajo që duket se ka çuar në dyshime janë sërish koeficientët e golave, 1.5 dhe 1.45 kuotohej që në këtë ndeshje shënoheshin më shumë se 2 gola. Për ndeshjen e kthimit koeficientet po për të njëjtin bast ishin rritur në 1.70 e 1.50. 5-0 përfundoi ndeshja e parë në Vjenë dhe 3-0 në Shkodër, në të dyja rastet një bast i kapur nëse vërtetohet që është luajtur kështu. Sistemi i implementuar nga UEFA ku kontrollohen të gjitha lëvizjet e koeficienteve, transfertat e parave për një rezultat apo një tjetër, ka ndezur dritën e kuqe pikërisht për dy klubet shqiptare, për shifra që i kalojnë 1 milionë euro të përfituara.