E Diel, 1 Nëntor 2026

Rama: Nuk ka rrugë tjetër përveç hetimit të zgjedhjeveNga TemaKryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, tha dje se kryeministri, Sali Berisha, nuk ka rrugë tjetër përveç asaj të hetimit të zgjedhjeve. Rama komentoi deklaratën e Berishës se do shkulë d

Nëse dëshironi të lexoni edicionin online të gazetës në PDF klikoni këtu.

Rama: Nuk ka rrugë tjetër përveç hetimit të zgjedhjeveNga Tema

Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, tha dje se kryeministri, Sali Berisha, nuk ka rrugë tjetër përveç asaj të hetimit të zgjedhjeve. Rama komentoi deklaratën e Berishës se do shkulë dhëmbët e korrupsionit opozitar duke thënë se Berisha është në gjendje të rëndë mendore.

“Sali Berisha u përbetua se do t’i shkulë dhëmbë e dhëmballë opozitës. Mjafton vetëm kjo fjali, për të kuptuar se ku ka rënë niveli i demokracisë dhe i qeverisjes në Shqipëri. Ashtu siç mjafton vetëm kjo fjali, për të kuptuar se në ç’gjendje të rënduar mendore është njeriu që drejton sot Shqipërinë me vota të vjedhura. Dhe, në qoftë se Sali Berisha thotë nuk e kam me opozitën, por me dhëmbët e dhëmballët e korrupsionit, ne i përsërisim se, në qoftë se ka vërtet vullnet për t’i shkulur ato, i duhet të shkulë ministrat e tij nga karriget e tyre, duke filluar nga zëvendësi i vet, pastaj i duhet të shkulë Familjen e tij prej poshtë tavolinës së qeverisë dhe, në qoftë se do me gjithë mend ta çojë deri në dhëmballën e fundit këtë operacion të dhimbshëm, i duhet të shkulë vetveten nga karrigia e kryeministrit”, - tha Rama.

“Dikur Enver Hoxha thoshte rëndom do t’u shkulim dhëmbë e dhëmballë armiqve të revolucionit. Një kryeministër që sot në mes të Evropës ëndërron darën në dorë për të shkulur dhëmbët e dhëmballët e opozitës, madje as nuk e fsheh këtë ëndërr të dhunshme enveriane, është një turp i madh për vendin e tij, për popullin e tij, për vetë Evropën.

Ne i bëjmë thirrje të qetësohet, të hapë kutitë e votimit, të bëjmë së bashku hetimin e plotë, transparent zgjedhjeve të 28 qershorit dhe të hapim të gjithë bashkë një kapitull të ri, duke e çliruar parlamentin nga pesha e rëndë e mëkatit të zgjedhjeve të vjedhura. Rrugë tjetër nuk ka dhe historia e vjetër dhe e re mëson se, sa më shumë pushteti i kërcet dhëmbët popullit të vet, aq më shpejt i bien dhëmbët përpara fuqisë së vetë popullit”, - vijoi më tej kryetari socialist.

Rama tha se nuk ka antimiting që mund të mbulojë krizën e demokracisë në vend.

“Kur shqiptarët kurajozë kapërcyen muret e ambasadave, diktatura komuniste e Ramiz Alisë e Sali Berishës organizoi një miting gjigant me lista nëpunësish e punëtorësh të shtetit për të treguar se popullin e kishte me vete. Të njëjtën gjë bënë edhe diktaturat e tjera komuniste në Lindje, kur qytetarë protestues nisën të kërkonin liri e demokraci. Antimitingje të stërmëdha shtetërore u organizuan për të nënshtruar psikologjikisht popullin protestues, duke bërë në fakt efektin e kundërt.

Njësoj veproi më vonë edhe pushteti që vodhi votat në Ukrainë, kur opozita doli në rrugë për të kërkuar ribërjen e zgjedhjeve. Asnjë ndryshim edhe në Gjeorgji e gjetkë, kur regjime të korrupsionit e të manipulimeve zgjedhore si ky i yni u përballën me fillimet e protestës popullore duke organizuar antimitingje shtetërore.

Sali Berisha e quan festë dhe do të nxjerrë sërish nga arka e buxhetit të të gjithë shqiptarëve pará të madhe për të mbytur me këngë e valle zërin e protestës opozitare, pikërisht në kujtim të një dite kur zëri opozitar shqiptar u ngrit kundër këngëve e valleve të regjimit komunist të Saliut.

Është e kotë, nuk ka aheng shtetëror që e mbulon krizën e rëndë të demokracisë, të shtetit të së drejtës, të ekonomisë së familjeve shqiptare në Shqipërinë e sotme dhe as antimiting në mbështetje të qeverisë që e lëkund bindjen përditë e më të thellë të shqiptarëve, se ky pushtet i dalë nga vota e tyre e vjedhur sjell vetëm rrënim të përditshëm për shtetin e për ekonominë e tyre”, - tha Rama.

“Prokuroria të shpjegojë se përse nuk po e heton skandalin e rrugës Durrës-Kukës”

“Në emër të opozitës shqiptare, kërkoj publikisht shpjegimin e Prokurorisë së Përgjithshme lidhur me mosmarrjen, ende sot e gjithë ditën, të hapit për të hetuar batërdinë që po ndodh rrugën Durrës-Kukës, ku përveç shembjes së pranuar zyrtarisht të tunelit, po vihen re shenja shembjeje në pjesë të shtratit të rrugës.

Çfarë pret prokuroria për të marrë provat në vend dhe për të hetuar arsyet e këtyre shembjeve? Heshtja e zgjedhur prej saj për këtë çështje është e pajustifikueshme dhe zgjatja e kësaj heshtjeje bëhet fajësuese për organin e akuzës, i cili është padyshim nën një presion të madh, thuajse mafioz, për të mbyllur sytë para malit të skandaleve të këtij pushteti, por nuk mundet në asnjë mënyrë të braktisë rolin e vet kushtetues e ligjor.”

“Urdhrat e Berishës për Përmbarimin: Mos zbatoni vendimet e gjykatës”

Deputeti socialist, Taulant Balla, tha se Berisha nuk mund të fshihet pas faktit që po mbron vendimin e gjykatave për të mos hapur kutitë, pasi ai vetë ka urdhëruar që të mos zbatohen vendimet e gjykatave. Ai solli dokumente, ku zyra e kryeministrit urdhëron Përmbarimin të mos ekzekutojë vendimet e gjykatës.

“Nuk mund të thotë se ka një vendim gjykate Sali Berisha, kryeministri i fundit komunist në Evropë, që në katër vitet e fundit e dhunoi 16 herë Kushtetutën dhe nuk zbatoi asnjë vendim të Gjykatës Kushtetuese.

Sali Berisha do të mbahet mend si i vetmi dëshmitar apo edhe i akuzuar për lloj-lloj shpifjesh, që nuk iu përgjigj asnjëherë fletëthirrjeve të gjykatave shqiptare, përfshirë këtu edhe një ndër gjyqet më të rëndësishëm si gjyqi për vrasjen e Azem Hajdarit. Sali Berisha do të mbahet mend për kërkesat e tij të papërgjegjshme në korrik të vitit 2002 për ndryshimin e vendimeve të Gjykatës Kushtetuese me vendime të Komisionit të Ligjeve.

Kam këtu disa urdhra të Sali Berishës dhe të vartësve të vet që urdhërojnë Zyrën Përmbarimore të mos zbatojë vendimet e gjykatës. Ky është shteti i Sali Berishës, ku kryeministri urdhëron mos zbatimin e vendimeve të gjykatës.

Kryeministri i fundit komunist në Evropë ka edhe shtatë ditë kohë për t’iu përgjigjur apelit tonë dhe të qytetarëve shqiptarë për hapjen e kutive, në të kundërt do të ikë bashkë me kutitë”, - tha Balla.

“Nuk mund të keqpërdorë vendimet e gjykatave në demokraci njeriu që për herë të fundit i është përgjigjur fletëthirrjes së gjykatës në diktaturë, në vjeshtë të vitit 1975, si dëshmitar kundër Hysen Sheshorit, i akuzuar për veprimtari kundër partisë dhe ku dëshmitari Sali Berisha ka kërkuar dënimin me vdekje të të akuzuarit”.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›