Ekstradohet, trafikoi për prostitutë një studente
Ekstradohet nga Holanda një i kërkuar për trafik femrash me qëllim shfrytëzimin e tyre për prostitucion. Ditën e djeshme, Interpol-Tirana ka sjellë në pranga Adrian Mertirajn, 41 vjeç, i cili ishte arrestuar prej muajit gusht të vitit 2008 në Holandë. Sipas të dhënave policore, Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë, me vendimin nr. 1202, datë 05 dhjetor 2007, ka caktuar masën e sigurisë "arrest me burg" për këtë person, për kryerjen e veprës penale të "Shfrytëzimit të prostitucionit në rrethana rënduese". Adrian Mertiraj, në pranverën e vitit 2004, është njohur me shtetasen E. H., e cila kishte ardhur në Tiranë dhe jetonte në Qytetin Studenti. Ky person i ka premtuar të dëmtuarës se do ta merrte me vete në Gjermani. E. H. e ka pranuar propozimin dhe pasi ka ardhur garancia nga Gjermania, nga shtetasja gjermane Krista R., e cila ishte bashkëshortja e Adrian Mertirajt në Gjermani, ajo ka marrë vizën dhe ka ikur në Gjermani. Atje, ajo është pritur nga Mertiraj dhe është sistemuar në një hotel. Me kalimin e kohës, ai i ka kërkuar asaj të prostituojë dhe kundërshtimi i të dëmtuarës e ka acaruar atë. Kjo ka sjellë dhunë mbi vajzën. Që nga ajo kohë e në vazhdim e dëmtuara është detyruar me forcë të ushtrojë prostitucion nën ndikimin e dhunës çnjerëzore nga ana e të pandehurit. Në gusht 2007, e dëmtuara është shtruar në urgjencën e spitalit të qytetit Essen në Gjermani, pasi ishte rrahur egërsisht nga i pandehuri. E ndihmuar nga një shtetas kosovar, ajo është larguar më pas drejt Shqipërisë, ku ka depozituar dhe kallëzimin përkatës. Si rezultat i bashkëpunimit të Interpol-Tirana me Interpol-Hagën në Holandë, në datën 13 gusht 2008, u bë i mundur arrestimi me qëllim ekstradimi i të kërkuarit.
Ble. Gi.
Ble. Gi.