Hetim kryekomunares së Ndroqit për mbivendosje
Policia dërgon për procedim penal në gjendje të lirë kryetaren e Komunës së Ndroqit, Fatime Goga. Sipas të dhënave hetimore, ajo është denoncuar nga një 61-vjeçar për mbivendosje pronash, e për këtë arsye po hetohet në gjendje të lirë. Burimet policore të kryeqytetit bënë të ditur se Xhevdet Mancaku, 61 vjeç, banues në Ndroq ka kallëzuar se Komisioni Vendor i Kthimit dhe Kompensimit të Pronave, regjistruesi në Zyrën Vendore të Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme dhe kryetarja e Komunës Ndroq, me anë të falsifikimit të dokumenteve kanë krijuar mbivendosje në një sipërfaqe toke, që është pronë e tij. Për këtë, ai ka paraqitur edhe dokumentet përkatëse, megjithëse policia ka deklaruar se po e heton këtë rast dhe ende nuk ka gjetur prova për të ngritur akuza ndaj ndonjë personi konkret. Por, nga ana tjetër, Mancaku ka denoncuar kryetaren e komunës edhe për shpërdorim detyre. Ai ka deklaruar se Fatime Goga, duke shpërdoruar detyrën, nuk i ka plotësuar në rregull dokumentet për pensionin e tij. Të dyja këto raste po ndiqen nga seksioni kundër korrupsionit dhe nuk ka informacione zyrtare sesi kanë vijuar hetimet.