Basha: Qeveria ka gati ligjin për familjet e policëve të rënë në krye të detyrës

Ministri i Brendshëm Lulzim Basha zhvilloi sot një takim në Durrës me disa familjarë të punonjësve të Policisë së Shtetit të rënë në krye të detyrës të cilët janë duke kryer pushimet në shtëpinë e pushimit të Ministrisë së Brendshme. Ministria e Brendshme dhe Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit, për herë të parë këtë vit, u kanë ofruar mundësinë të gjitha familjeve të punonjësve të Policisë së Shtetit të rënë në krye të detyrës të kryejnë pushimet verore falas në shtëpinë e pushimit të Ministrisë së Brendshme. Duke siguruar se kjo mundësi do të ofrohet edhe për vitet në vazhdim, Ministri Basha u shpreh se kjo është një paketë masash të marra edhe në zbatim të ligjit të ri të miratuar nga parlamenti shqiptar. Basha informoi se ligji parashikon shpërblimin financiar të çdo familje të të rëni me rrogën e plotë të personelit të policisë, të punonjësit të policisë të rënë në krye të detyrës dhe rritjet që do të përfitonte në rast të vazhdimit të karrierës, parashikon bursa studimi për të gjithë fëmijët e policëve të rënë, parashikon trajtimin me përparësi për strehimin e tyre dhe në plotësim të këtyre masave që parashikon ligji, Ministria e Brendshme dhe Policia e Shtetit do të bëjnë të gjitha përpjekjet për punësimin e çdo bashkëshorteje të papunësuar akoma dhe në gjendje pune, pra jo në moshë pensioni si dhe për pushimin e plotë të këtyre familjeve me shpenzimet e Ministrisë së Brendshme gjatë sezonit. Ministri Basha u bëri të ditur familjarëve të punonjësve të Policisë së Shtetit të rënë në krye të detyrës se brenda një jave Këshilli i Ministrave do të miratojë udhëzimin përkatës për zbatimin e ligjit dhe duke filluar nga shtatori të gjitha përfitimet që parashikon ligji do të zbatohen në mënyrë uniforme për të gjitha familjet. Në shtëpinë e pushimit të Ministrisë së Brendshme kanë pushuar deri më tani 140 familje të punonjësve të policisë të rënë në krye të detyrës dhe secila prej familjeve pati mundësi që të përzgjidhte periudhën 10 ditore të pushimit nga 1 korriku-10 shtator.
...