Bota feston 100 vjetorin e lindjes së Nënë Terezës. Berisha: Në një shekull askush nuk u dha më shumë nder qytetarëve sesa shenjtorja shqiptare

Kryeministri Berisha i shoqëruar nga bashkëshortja e tij Liri Berisha dhe përfaqësues të tjerë të qeverisë e parlamentit kanë marrë pjesë në meshën e zhvilluar në Vaun e Dejës
Në katedralen “Nënë Tereza” në bashkinë e Vaut të Dejës është zhvilluar një meshë për nder të 100 vjetorit të lindjes së bamirëses shqiptare. Kryeministri Sali Berisha i shoqëruar nga bashkëshortja e tij Liri Berisha dhe përfaqësues të tjerë të qeverisë e parlamentit kanë marrë pjesë në këtë ceremoni. “Në një shekull askush nuk i dha më shumë nder qytetarëve të kësaj bote sesa shenjtorja e dhimbshurisë”- tha kreu i qeverisë në fjalën e tij Meshën e celebruar në oborrin e katedrales e kanë ndjekur qindra banorë të Shkodrës dhe të Vaut të Dejës.
Liri Berisha: Bamirsja shqiptare, ambasadore e Paqes
E gjithë bota, nga India në Tiranë kremton 100 vjetorin e Nënë Terezës, murgeshës shqiptare e cila u bë simbol universal i bamirësisë për të varfërit me aromë shenjtoreje. Mëngjesi nisi me meshën e përshpirtshme në Kalkuta të Indisë. Nju Jorku do jetë qyteti më i zbukuruar me ngjyrat bardh e blu. Për të vazhduar me një sërë aktivitetesh në të gjithë botën, në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni dhe Shtete të Bashkuara të Amerikës. Në Shqipëri 100- vjetori i Nënë Terezës përkujtohet edhe me anë të një aktiviteti të organizuar prej Liri Berishës. Në fjalën e rastit në përkujtim të veprës së Nënë Terezës, Liri Berisha u shpreh se brezat e rinj duhet që të ecin në gjurmët e saj. Ndër të tjera bamirësja shqiptare u përcaktua prej znj. Berishës edhe si Ambasadorja e Paqes. Në fjalën e rastit figurën e Nënë Terezës e vlerësoi edhe ministri i Kulturës Rinisë dhe Sporteve Ferdinand Xhaferraj. Në nder të 100 vjetorit të Nënë Terezës u organizuan një sërë aktivitetesh jo vetëm në Shqipëri, por edhe në një sërë vendesh të tjera ku bamirësja shqiptare ka dhënë kontributin e saj në ndihmë të varfërve. Rrugët e kryeqytetit shqiptar, janë mbushur me postera që lajmërojnë aktivitetet si dhe me thënie të kësaj figure me përmasa globale. Një ekspozitë në Bibliotekën Kombëtare, një koncert në Durrës me titullin “Rruga e jetës sime”, ndërkaq një seri filmimesh ardhur nga Vatikani, janë shfaqur në Tiranë e po shfaqen nëpër rrethe. Mbrëmë, në Kështjellën e Rozafës në Shkodër është zhvilluar mbrëmja muzikale-poetike: “Në lavdi të emrit të saj”. Sot aktivitetet nisën në orën 8:30 me një meshë solemne. Në orën 11:30-13:30 u prezantua projekti i Memorialit të Nënë Terezës nga fondacioni kulturor “Nënë Tereza”.
Festimet
Po ashtu ditëlindja e bamirëses shqiptare është festuar në Kalkuta të Indisë, aty ku Nënë Tereza kaloi pjesën më të madhe të jetës në shërbim të të varfërve, sot në mëngjes është mbajtur mesha në Shtëpinë e Nënë Terezës. Në Nju Dehli, në kryeqytetin idian presidenti Pratibha Patil kryesoi një ceremoni publike në nder të Nënë Terezës. Nju Jorku është qyteti më i zbukuruar ngjyrat e Misionareve të Bamirësisë. “Time Square” do të ndriçohet sot në mbrëmje nga dritat bardhë e blu. Me rastin e shënimit të 100 vjetorit të lindjes së Nënë Terezës, Kuvendi i Republikës së Maqedonisë mban sot seancë solemne, në nder të humanistes së madhe, ndërsa do të ndahet edhe çmimi shtetëror “Nëna Terezë”. Në hapësirën galerike të Shtëpisë përkujtimore të Nënës Terezë, do të hapet ekspozita e fotografive “Nëna Terezë - Nëna e të varfërve” nga artisti kroat Zvonimir Atletiç. Gjithashtu do të promovohet monografia “Jeni të bekuar, lutje dhe mesazhe” të Stojan Trençevskit, ndërsa midis 100 aktiviteteve dhe manifestimeve do të shfaqet edhe filmi dokumentar “Nëpër rrugët e Nënës Terezës”.. Në orët e mbrëmjes do të bëhet promovimi i këngës dhe video spotit për këngën “Një shekull dashuri” të kënduar nga Ardian Gaxha, Leonora Poloska, Selami Kolonja, Besiana Mehmedi, Mustafa Ymeri, Laura Krliu, Berkan dhe Valon Suma. Edhe në Kosovë po zhvillohen aktivitete të rëndësishme në përkujtim të veprës shenjtore të Nënë Terezës. Viti 2010 në Kosovë është shpallur vit i Nënë Terezës dhe janë paraparë një numër manifestimesh përfshirë edhe hapjen e Katedrales më emrin e saj në Prishtinë, më 5 shtator si dhe konferenca shkencore kushtuar jetës dhe veprës së saj. Dje në mjediset e Parlamentit të Kosovës, u hap një ekspozitë për nderë të 100 vjetorit të lindjes së humanistes shqiptare Nënë Tereza. Sot në Mitrovicë, ura mbi lumin Ibër, e cila lidh anën jugore dhe atë veriore të këtij qyteti, do të emërtohet si “Ura e Paqes-Nënë Tereza”, në shenjë kujtese për këtë humaniste, e cila gjate gjithë jetës së saj ishte lutur për dashuri dhe paqe.
...