E Diel, 1 Nëntor 2026

Ekuadori, një shtet autokratik, në mbrojtje të Assange

Gazeta Shqip

Drejtohet nga një president pa kurrfarë respekti për lirinë e fjalës, por ka marrë nismën ti shpjegojë botës të drejtat e njeriut

Rafale Correa po përdor rastin Assange për të kapur udhëheqësinë shpirtërore të ekstremit të majtë të Amerikës Latine

Assange duke folur nga ballkoni i ambasadës së Ekuadorit në Londër

The Economist

Udhëheqësi legjendar i Ekuadorit, José María Velasco, dikur deklaroi: Më jep një ballkon dhe unë do të bëhem President. Dhe kishte të drejtë. U bë President pesë herë dhe u rrëzua nga grushte ushtarake katër herë.

Rafael Correa, i cili ngjan shumë me Velascon në populizmin e tij histrionik, dukshëm shpreson se vendimi i tij i 16 gushtit për ti dhënë themeluesit të Wikileaks, Julian Assange, azil në ambasadën e Ekuadorit në Londër si dhe ballkonin e ambasadës për tu folur mbështetësve do ti rrisë shanset e tij për të fituar një mandat tjetër në zgjedhjet që do të zhvillohen në shkurtin e ardhshëm.

Kjo çështje i ka dhënë Correas një moment të rrallë fame. Ai është bërë një celebritet ndërkombëtar. Por nëse kjo aventurë do ti japë atij përfitime afatgjata, mbetet për tu parë.

Correa është në pushtet që në vitin 2007 dhe ka shijuar mbështetje të qëndrueshme popullore përmes masave që ai i quan revolucioni i qytetarëve, në një vend që deri më sot ka qenë simbol i destabilitetit politik.

Ai ka përdorur paratë e krijuara nga nafta, si dhe ato të kursyera duke shpallur falimentin për të rritur shpenzimet e mbrojtjes shoqërore. I ka kombinuar këto masa me shpërthime teatrale të anti-amerikanizmit.

Ai refuzoi të zgjasë afatin e një marrëveshjeje që u jepte amerikanëve një bazë në luftën kundër drogës në Ekuador. Është bashkuar me Kubën komuniste, si dhe me Hugo Çavesin e Venezuelës në një aleancë anti-amerikane të quajtur ALBA (d.m.th Agim në spanjisht).

Kur Wikileaks publikoi një kabllogramë në të cilën ambasadorja amerikane në Ekuador, Heather Hodges, shkruante se Presidenti e dinte se shefi i tij i policisë qe i korruptuar, Correa e përzuri atë.

Në qershor, Assange u strehua në ambasadën e Ekuadorit në Londër, një apartament me tulla të kuqe, për të shmangur ekstradimin në Suedi, ku kërkohet i dyshuar për përdhunim. (Ai vetë thotë se seksi qe me mirëkuptimin e vajzave që ngritën akuzën).

Correa pretendon se duke i dhënë azil Assange-s, po mbron lirinë e fjalës. Ministri i Jashtëm, Ricardo Patiño, i konsideroi akuzat suedeze si qesharake, duke pretenduar se qenë të sajuara për të justifikuar ekstradimin e tij në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku ekziston mundësia të dënohet edhe me vdekje.

Por avokatët e të drejtës ndërkombëtare thonë se ekstradimi për në SHBA mund të jetë më i vështirë për Suedinë sesa për Britaninë. SHBA-të nuk kanë ngritur akuzë ndaj tij, megjithëse kanë vënë nën akuzë Bradley Manning, ushtarin e akuzuar se ka dorëzuar tek Wikileaks dokumentet sekrete. Akuza për të është ka ndihmuar armikun.

Disa nga kundërshtarët e Correas argumentojnë se ai po përdor rastin Assange për të ngritur profilin e vet në aleancën antiamerikane, ku konkurron me Çavesin. Ky i fundit ka rënë kohët e fundit pasi është i sëmurë me kancer. Më herët këtë vit, Correa bëri thirrje për sanksione kundër Britanisë për shkak të refuzimit të Londrës për të hyrë në bisedime mbi sovranitetin e ishujve Falkland, si dhe bojkotoi një samit të Amerikave për të protestuar për faktin që Kuba nuk qe ftuar.

Correa shfrytëzoi një letër të pamenduar të dërguar nga ambasadori i Britanisë, ku përmendej një ligj që i lejonte autoritetet angleze të mos respektojnë parimin e paprekshmërisë së ambasadave në rast se ambasadat keqpërdoren. Correa e interpretoi letrën si një kërcënim për të sulmuar ambasadën. Sekretari i Punëve të Jashtme të Britanisë, William Hague, e hodhi poshtë aludimin duke sqaruar se qeveria e tij nuk kishte ndër mend të bënte asgjë të ngjashme me sulmin ndaj një ambasade dhe se qe e vendosur të zgjidhte problemin përmes bisedimeve.

Letra gjithsesi i mjaftoi Correas të paraqiste rastin Assange si një betejë mes një vendi të vogël dhe një fuqie imperialiste. Nuk qe aspak habi që pas kësaj fitoi mbështetjen e partnerëve të vet të koalicionit ALBA. Ai shkoi deri aty sa shpalli veten fitimtar në një takim të Bashkimit të Vendeve të Amerikës së Jugut. Por ndërsa Bashkimi deklaroi se solidarizohej me Ekuadorin përballë kërcënimit ndaj ambasadës, organizata nuk dha mbështetje eksplicite për strehimin e Assange nga Ekuadori. Shumë vende, përfshirë Brazilin, dërguan në takim zyrtarë të nivelit të ulët.

Diplomatike apo lunatike?

E drejta për ti dhënë azil në ambasada një qytetari të një vendi tjetër nuk është e njohur nga ligji ndërkombëtar apo nga Konventa e Vjenës mbi Marrëdhëniet Diplomatike të vitit 1961.

Amerika Latine është rajoni i vetëm i botës ku një praktikë e tillë është e zakonshme si pasojë e shtypjes politike e historike në këto vende. Pasi një diktator mori pushtetin në Peru më 1948, Victor Raúl Haya de la Torre, një politikan vendës u arratis duke hyrë në ambasadën e Kolumbisë në Lima. Ai jetoi aty për gjashtë vjet, ndërsa tankset e vendosën ndërtesën nën rrethim.

Correa ka thënë se Ekuadori mund ta dërgojë rastin Assange te Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë. Por kjo gjykatë ka lëshuar një vendim kategorik në rastin e Haya de la Torre ku sanksionohet se azili diplomatik mund të ekzistojë vetëm nën traktate ku parashikohet në mënyrë eksplicite dhe në përdorim reciprok.

Britania nuk ka nënshkruar asnjë traktat të tillë. (As SHBA-të: Kur një disident kinez hyri në ambasadën e SHBA-së në Pekin në prill për të kërkuar azil politik, amerikanët e dorëzuan atë te kinezët dhe hynë në bisedime në mënyrë që qeveria e Kinës të lejonte largimin e disidentit nga ky vend). Pas vendimit të Gjykatës Ndërkombëtare, Organizata e Shteteve Amerikane (OAS) hartoi një dokument të quajtur Konventa e Karakasit mbi Azilin Diplomatik më 1954, por kjo konventë është ratifikuar vetëm nga 14 prej 34 anëtarëve të organizatës.

Në vendet demokratike të Amerikës Latine, një praktikë e tillë mund të duket e tepërt. Por nuk është kështu. Manuel Zelaya përdori ambasadën e Brazilit në Tegucigalpa për të bërë fushatë, pasi u rrëzua si president i Hondurasit në vitin 2009. Në qershor, Brazili i dha azil një senatori të Bolivisë, i cili hyri në ambasadën e Brazilit në La Paz. Ai deklaroi se po përndiqej nga qeveria e Evo Morales, (një aleat i Correas), pasi kishte denoncuar korrupsionin dhe trafikun e drogës.

Por është e qartë që hartuesit e Konventës së Karakasit nuk kishin ndër mend raste të tilla si ky i Assange kur vendosën të pranojnë idenë e azilit diplomatik. Assange akuzohet për dhunë seksuale në Suedi, një vend ku respekti për të drejtat e njeriut është i padiskutueshëm.

Një hipokrit

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›