E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sllovenia mbështet integrimin e Kosovës në BE dhe NATO

Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi në ditën e parë të vizitës zyrtare në Republikën e Sllovenisë, është pritur nga homologu i tij, Janez Jansha. Në takim dy kryeministrat diskutuan për zhvillimet aktuale politike në Kosovë dhe Slloveni, për procesin integrues nëpër të cilin po kalon Kosova, për bashkëpunimin rajonal dhe për tema tjera me interes të përbashkët.

Kryeministri Thaçi në takimin me kryeministrin Jansha ka vlerësuar lartë marrëdhëniet bilaterale mes Kosovës dhe Sllovensisë dhe është shprehur për thellimin e mëtejmë të këtyre marrëdhënieve në fushat e interesit bilateral, me fokus të veçantë në bashkëpunimin ekonomik.

Thaçi theksoi se me përmbylljen zyrtare të mbiqkyrjes ndërkombëtare të Pavarësisë, Kosova po dëshmon se është një shtet serioz demokratik, me institucione të konsoliduara, e gatshme për t`u bërë pjesë e institucioneve evropiane dhe euro-atlantike.

Nga ana e tij, kryeministri slloven ka theksuar se perspektiva e Kosovës është padyshim perspektiva e anëtarësimit në Bashkimin Evropian dhe në NATO dhe në këtë drejtim Jansha ka vlerësuar lartë hapat konkretë që i ka marrë Qeveria e Kosovës, nën udhëheqjen e Kryeministrit Thaçi në thellimin e reformave të gjithanshme në Kosovë.

Gjatë qëndrimit në Slloveni, kryeministri Thaçi do të marrë pjesë në Forumin Strategjik të Bledit, ku do të zhvillojë takime me pjesëmarrës të forumit nga vendet e rajonit. Ky forum synon që të nxis nivelin e lartë të dialogut në mes të liderëve nga sektori privat dhe publik për çështjet e zhvillimeve të ardhshme në Evropë.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›