SHBA, dyshime për evazion fiskal nga kompania themeluese e Mitt Romney
Prokurori i Nju Jorkut ka nisur verifikimet për disa shoqëri private të cilat dyshohet se kanë abuzuar me taksat. Lajmi bëhet i ditur nga e përditshmja New York Times, e cila citon disa burime të besueshme. Këta të fundit kanë pretenduar se mes shoqërive që po verifikohen është edhe Bain Capital, kompania e themeluar nga Mitt Romney, kandidati republikan për Shtëpinë e Bardhë.
Lajmi i New York Times vjen në mes të fushatës elektorale presidenciale. Eric T. Schneiderman, prokurori i përgjithshme i Nju Jorkut, ka dërguar javën e kaluar mandate për të marrë dokumentet e disa kompanive, për të hedhur dritë mbi dyshimet e ngritura. Mes shoqërive që do të verifikohen përveç Bain Capital është edhe Kohlberg Kravis Roberts & Co, TPG Capital, Sun Capital Partners, Apollo Global Management dhe Silver Lake Partners. Disa menaxher të kompanive druajnë se Schneiderman, demokrat dhe i lidhur me administratën Obama, po përpiqet që të krijoj siklete në industri për shkak të lidhjeve të Romney me Bain Capital, shkruan New York Times, duke nënvizuar që menaxher të tjerë mendojnë se kjo është një lëvizje e shtetit për të rikuperuar fonde.
2 shtator 2012 (gazeta-Shqip.com)
SHBA, dyshime për evazion fiskal nga kompania themeluese e Mitt Romney burimi: Gazeta S H Q I P Gazeta Shqip