E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ekzekutimi i Zenelit, hetimet shtrihen në Fushë-Krujë

Tiranë- Katër ditë pas vrasjes në mes të ish-Bllokut, policia shtrin hetimet jashtë Tiranës, në kërkim të provave që mund të çojnë në zbardhjen e plotë të kësaj ngjarjeje dhe në identifikimin e autorëve. Burime nga blutë e Tiranës bëjnë të ditur se një grup hetimor ka qenë ditën e djeshme në Fushë-Krujë, ku ka marr në pyetje të afërmit dhe të njohurit e viktimës. Me këtë lëvizje, grupi hetimor shpreson të mbledhë provat e duhura për zbardhjen e atentatit që i mori jetën Nadien Zenelit. Për disa orë, ekspertët e grupit hetimor, të ngritur për këtë ngjarje, kanë qëndruar në Fushë- Krujë, ku kanë mbledhur dëshmitë e të afërmve të Nadien Zenelit dhe të të njohurve të tij, por deri më tani, nuk bëhet publik asnjë detaj nga dëshmitë e tyre. Gjithashtu, mësohet se verifikime janë kryer edhe në Bulqizë, ku viktima prej më shumë se një muaji kishte ngritur biznesin e tij në nxjerrjen e kromit. Edhe aty mësohet se janë marrë në pyetje pronarët e bizneseve të tjera, si dhe banorët e zonës, por ende nuk ka të dhëna zyrtare që mund të provojnë se konfliktet për vrasjen e tij kanë lindur si pasojë e biznesit. Ndërkohë, hetimet vazhdojnë të jenë të fokusuara dhe në të shkuarën e viktimës, ku sipas provave të grumbulluara deri më tani, mësohet të ketë hije dyshimi për përfshirjen e tij në disa aktivitete të kundraligjshme, por grupi hetimor nuk jep të dhëna në lidhje mbi këto fakte. Edhe pse Zeneli nuk ishte person me precedentë kriminalë, ai njihej nga forcat e policisë si person problematik dhe për këtë fakt, hetimet janë shtrirë më së shumti në të shkuarën e tij, ku shpresohet se do të gjenden “fijet” e lidhjes me vrasjen e ndodhur 4 ditë më parë. Në hetimin e të shkuarës së Nadien Zenelit, një vëmendje të veçantë grupi hetimor i ka kushtuar lidhjes së tij me familjen Haka, familje kjo e njohur në fundin e viteve ’90 në zonën e Niklës, për shkak të konflikteve të hapura. Zeneli ishte dhëndër i kësaj familje dhe në pistat e para të ngritura nga grupi hetimor, është ajo e hakmarrjes si pasojë e konflikteve të familjes Haka.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›