Konflikti me Rozanën, Rezarta Shkurta i “dorëzohet” gjyqit
Tiranë- Konflikti mes dy këngëtareve Rozana Radi e Rezarta Shkurta përfundon në dyert e Gjykatës. Prokuroria e Tiranës ka përfunduar dje hetimet, duke dërguar si të pandehur në gjykatë Rezarta Shkurtën, e cila akuzohet për sulm fizik, me pasojë plagosjen e koleges dhe ish-mikes së saj Rozana Radi. Hetimi i nisur në dhjetor të vitit të shkuar ka përfunduar ditën e djeshme, kur organi i akuzës, pasi ka formuluar akuzën ndaj këngëtares Shkurta, ka dërguar çështjen për gjykim në Gjykatën e Tiranës. Zyrtarisht me aktet e hetimit është njohur edhe avokati i këngëtares, tashmë e pandehur, ndërsa çështja pritet të regjistrohet në sekretarinë e gjykatës, për t’iu nënshtruar më pas shortit elektronik. Sipas kërkesës për gjykim, që tashmë u është bërë e njohur edhe përfaqësuesve ligjorë të dy këngëtareve, konflikti mes dy ish-mikeshave ka kulmuar në orët e para të datës 8 dhjetor, në periferi të kryeqytetit. “Në orën 03:03 të datës 8.12.2010, sipas shkresës së kompanisë celulare, në numrin e Rozana Radit është kryer një telefonatë hyrëse nga numri i celularit që disponon Rezarta Shkurta” - thuhet në kërkesën për gjykim të prokurorisë, ku më pas sqarohet edhe konflikti që ka ndodhur midis këngëtareve. Sipas hetimit, rezulton se Rezarta dhe Rozana janë takuar pranë Liqenit Artificial, dhe menjëherë këngëtarja Radi është gjendur nën sulmin e koleges së saj. Ky moment ka sjellë edhe dëmtimin e këngëtares Rozana Radi në fytyrë, pasi nuk ka mundur të mbrohej. Sipas shpjegimeve të vetë këngëtares, të cilat janë pasqyruar edhe në akt-akuzë, rezulton se në momentet e sulmit Rozan Radi ka mbrojtur pjesën e gjoksit për shkak të një operacioni plastik, duke lënë kështu zbuluar pjesën e fytyrës, ku ka marrë disa goditje me grusht. Menjëherë ajo i është drejtuar komisariatit nr.1, ku ka bërë edhe denoncimin ndaj Rezarta Shkurtës, ndërsa është kryer edhe një ekspertizë mjekësore për dëmtimet që këngëtarja ka pësuar. Sipas ekspertëve, rezulton se Rozana Radi ka pasur disa hematoma në fytyrë, të cilat janë fiksuar edhe në tabelën fotografike përkatëse. Më pas, prokuroria ka kërkuar dëshmitë e dy vajzave, ku secila ka dhënë argumentet e saj për konfliktin e nisur në spektaklin kosovar “Vip Shpia”, që më pas përfundoi në përdorimin e dhunës fizike nga ana e këngëtares Rezarta Shkurta. Sipas prokurorisë, pas konflikteve verbale dhe sherreve në spektaklin kosovar, ku të dyja këngëtaret shqiptare kanë qenë të pranishme, debati mes tyre ka vijuar edhe pas kthimit në Shqipëri. Rasti më i fundit para konfliktit të dhunshëm ka qenë një ditë para ngjarjes, kur dy këngëtaret kanë shkëmbyer sharje dhe ofendime në Facebook. “Rreth orëve të mesnatës, në faqen time të “Facebook”-ut, shtetasja Rezarta Shkurta më ka sharë dhe ofenduar duke më shkruar në inbox mesazhe me fjalët më banale, që përmban fjalori i gjuhës shqipe”, - ka deklaruar Rozana Radi. Më pas ka ardhur edhe telefonata për t’u takuar si dhe goditjet fizike ndaj Radit, e cila ka akuzuar edhe bashkëshortin e koleges së saj, nipin e ish-diktatorit Enver Hoxha, Ermalin, i cili nuk është ngarkuar me përgjegjësi penale nga prokuroria, pasi nuk është provuar implikimi i tij në këtë çështje.