E Diel, 1 Nëntor 2026

“Kurthi” me Facebook, ja si u arrestua shpërndarësi i heroinës në Tiranë

Tiranë- Facebook-u ka futur në kurth një shpërndarës të lëndëve narkotike, që ia kishte dalë t’u shpëtonte prangave të policisë, gjatë operacionit të pak ditëve më parë. “Mania” e rrjetit social, por edhe dëshira për t’u njohur me vajza, i ka kushtuar shtrenjtë 37- vjeçarit Pjerin Gjeçaj, i kërkuar nga policia për shitje heroine në Tiranë. Gjurmimi dhe arrestimi i Gjeçajt ka ndodhur në një mënyrë të denjë për një skenar filmi. Specialistët e anti-drogës, pas verifikimeve të shumta kishin arritur të konstatonin se Gjeçaj kishte në përdorim një profil në rrjetin social Facebook. Pas këtij zbulimi, duke përdorur një profil të rremë me emrin e një vajze, ata arritën të kontaktonin me 37-vjeçarin. Pas disa bisedash, ku Gjeçaj i kishte kërkua disa herë “vajzës” për t’u takuar, dy net më parë u caktua dhe vendtakimi mes tyre. Vendi i takimit ishte lënë në një lokal në zonën e ish-Bllokut, ku Pjetër Gjeçaj, edhe pse i shpallur në kërkim, nuk hezitoi të dilte në pritje të vajzës që kishte komunikuar në Facebook. Është shtangur, kur përballë tij ka parë agjentët e antidrogës, i bindur megjithatë se tashmë nuk mund të bënte asgjë. Policia e Tiranës pohoi përmes një njoftimi për shtyp se Gjeçaj akuzohet se shpërndante heroinë në zonën e “Ali Demit”. Hetimi i agjentëve të antidrogës kishte siguruar të dhëna se ortaku i tij, Bledar Mneri, kryente shitje të lëndës narkotike pranë “Poligrafikut” në Tiranë. Mbi bazën e këtyre të dhënave hetimore të grumbulluara, në bazë të kërkesës së prokurorisë, Gjykata e Tiranës ka autorizuar përgjimin e numrave të telefonit në përdorim të Mnerit. Sipas procesverbalëve të transkriptimit, rezulton se Mneri dyshohet se ka kryer shitjen e lëndës narkotike të llojit heroinë në rrugën “Ali Demi”, Tiranë. Në funksion të këtij qëllimi, Bledar Mneri kontaktonte me telefon me personat që kërkojnë të blejnë heroinë dhe i takonte ata pranë një bilardoje, të cilën ai e frekuentonte, në afërsi të Poligrafikut. Sipas raporteve të vëzhgimit, rezulton se Mneri ia shiste lëndën narkotike personave konsumatorë, kundrejt shumës prej 1.500 lekësh për çdo “dozë”. Përgjimet kanë zbuluar se Gjeçaj ishte bashkëpunëtor i tij në shpërndarjen e lëndëve narkotike. Pas dokumentimit të disa rasteve, ku Mneri u shiste klientëve të tij heroinë, më datë 25.05.2011 rreth orës 18:45 në rrugën “Ali Demi” oficerët e policisë gjyqësore kanë konstatuar atë duke i dhënë “diçka” në dorë të akuzuarit tjetër të grupit, Ervin Korra. Ky i fundit ka shkuar në banesën e tij dhe pas pak kohësh ka dalë prej saj. Oficeret kanë kryer kontrollin personal të tij dhe i kanë gjetur një mbështjellje plastmasi, brenda të cilës gjendej lëndë e dyshuar si heroinë. Më pas është ushtruar kontroll në banesën e tij dhe është gjetur dhe sekuestruar 17 qese të vogla, të mbushura me lëndë të dyshuar si heroinë, si dhe një qese tjetër me lëndë të dyshuar si “cannabis sativa”. Oficerët kanë kryer gjithashtu kontrollin personal të Bledar Mnerit, të cilit i kanë gjetur 12 copë fishekë, të cilët i mbante pa leje. Lënda e sekuestruar, e dyshuar si heroinë, pas peshimit të saj ka rezultuar në sasinë 7.4 gram, ndërsa lënda e dyshuar si “cannabis sativa” ka rezultuar në sasinë 3 gram, së bashku me ambalazhin. Me arrestimin e Gjeçajt, dy net më parë, agjentët e antidrogës pohojnë se kanë çuar pas hekurave të qelisë një grup të rëndësishëm në shpërndarjen e heroinës në Tiranë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›