E Diel, 1 Nëntor 2026

KQZ merr vendimin e Kolegjit, nesër mund të nisë rinumërimi

TIRANE- Komisioni Qendror Zgjedhor mund të të nisë nesër punën për rinumërimin dhe rivlerësimin e votave të kontestuara në kutitë e pahapura në 368 Qendrat e Votimit.

Zëdhënësi i këtij institucioni Leonard Olli konfirmoi se vendimi i zbardhur i Kolegjit Zgjedhor ka mbërritur në KQZ dhe se sot pasdite ky institucion do të miratojë projekt aktin me të cilën do nisë procedura e rinumërimit.

"Me të ardhur ky dokument i është kaluar menjëherë Drejtorisë Juridike, e cila është duke përgatitur në këtë çast projekt aktin. Pra për të zbërthyer teknikalitetin dhe rrugën e punës që duhet ndjekur nga KQZ"- sqaroi zëdhënësi i KQZ-së, sot paradite, në një prononcim për gazetarët.

Sipas tij nëse gjithçka do shkojë në kohë korrekte dhe subjektet politike dhe anëtarët e KQZ do të kenë kohën e nevojshme në dispozicion për tu njohur me këtë projektakt, atëherë, ai, do të kalojë për shqyrtim pranë KQZ në mbledhjen e pasdites e caktuar për orën 18:00. “Aty më pas të shikohet. Nëse miratohet KQZ do të nisë menjëherë nga puna, ndoshta dhe nesër për të proceduar dhe zbatuar urdhrin e Kolegjit Zgjedhor”- deklaroi zoti Olli.

Pyetjes nëse do të hapen vetëm në kutitë e materialeve zgjedhore apo do shtrihet më pas në të gjitha kutitë e Tiranës të mbetura të panumëruara Olli u përgjigj se është teknikalitet që do përcaktohet në pr/akt. “Për aq sa janë në dijeni ekspertët e Drejtorisë Juridike të KQZ-së është vënë re se do kërkohet hetimi vetëm i kutive të materialeve zgjedhore ku ndodhen zarfet me fletë të kontestuara, ose në rast se do shikohen të nevojshme dhe zarfi me fletë të pavlefshme.

Sipas Ollit procedura mund të zgjasë deri në 10 ditë, por askush nuk mund ta thotë me saktësi.
(s.g/balkanWeb) Lidhje te tjera Kërkesë-padia e PS, Kolegji Zgjedhor zbardh vendimin

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›