Vrasja e Emmyt, 3 vjet burg biznesmenit kosovar
Tiranë- Prokuroria i kërkoi dje gjykatës të shpallë fajtor shtetasin kosovar Aziz Kelmendi dhe ta dënojë atë me 3 vjet heqje lirie për akuzën e vrasjes nga pakujdesia. Pretenca është dhënë mesditën e djeshme nga prokurori i çështjes, Ervin Karanxha, i cili kërkoi nga gjykata dënimin e Kelmendit, i cili akuzohet për vrasjen e këngëtares Elsina Hidersha, e njohur ndryshme me emrin Emmy. Në kërkesën e tij prokurori ka parashtruar gjithë faktet e ngjarjes së orëve të para të mëngjesit të datës 27 shkurt të këtij viti, kur në rrugën “Sadik Petrela” në kryeqytet ka gjetur vdekjen shtetësja Elsina Hidersha. Sipas prokurorisë, para ngjarjes i pandehuri dhe viktima kanë kontaktuar mes tyre nëpërmjet celularit, pasi kanë qenë në ambientet e të njëjtit lokal. Më pas, kur shtetasi kosovar Aziz Kelmendi është larguar nga ambientet e lokalit, pranë automjetit të tij është afruar Elsina Hidersha, me të cilën kishte njohje të mëparshme. Prokuroria thotë se në këtë moment autori dhe viktima kanë debatuar mes tyre, ndërsa vajza është varur në xhamin e parë nga krahu i shoferit të automjetit që drejtohej nga Aziz Kelmendi. Pasi ka përshkruar rreth 50 metra, vajza është shkëputur nga xhami i shoferit duke u përplasur në tokë. Si pasojë e përplasjes ajo ka pësuar dëmtime të rënda në pjesën e kokës, duke ndërruar kështu jetë në Spitalin Ushtarak. Lidhur me masën e dënimit të kërkuar ndaj Aziz Kelmendit, prokuroria thotë se autori i ngjarjes tashmë e ka pranuar akuzës, duke shprehur pendesë të thellë për atë që kishte ndodhur, madje u ka kërkuar ndjesë edhe familjarëve të viktimës. Sot Gjykata e Tiranës pritet të shpallë vendimin ndaj biznesmenit kosovar Aziz Kelmendi, i cili akuzohet për vrasje nga pakujdesia, vepër penale për të cilën ligji parashikon dënimin nga gjobë në 5 vjet heqje lirie. Duke qenë se Kelmendi ka pranuar gjykimin e shkurtuar, automatikisht në vendimin përfundimtar ai do të përfitojë uljen e një të tretës së masës së dënimit. Deri tani Kelmendi ka qëndruar në qeli për rreth 3 muaj e gjysmë, kohë kjo që llogaritet si paraburgim. Aziz Kelmendi u arrestua menjëherë pas ngjarjes, pasi në momentin e aksidentit ai kishte shoqëruar në banesën e saj vajzën me të cilën ndodhej në automjet. L.Bakillari