E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ekzekutimi i vendimeve të gjykatës, kushte për integrimin

Eliminimi i pengesave për ekzekutimin e vendimeve gjyqësore vendase dhe sigurimi i zbatimit efektiv të vendimeve të gjykatave është nga shqetësimet e Bashkimit Europian për Shqipërinë dhe një nga fushat kryesore ku vendi ynë duhet të përmirësojë për procesin e integrimit. Pikërisht për këtë qëllim, Avokati i Popullit gjithmonë ka kërkuar dhe do të kërkojë zbatimin e nenit 143/3 të Kushtetutës si dhe të ligjeve në zbatim të saj, sepse asnjë organ apo institucion i administratës publike nuk ka të drejtë dhe nuk duhet të japë porosi apo urdhër për të mos zbatuar vendimet gjyqësore. Ndërsa Departamenti i Ekzekutimit të Vendimeve të Gjykatës Europiane për të Drejtat e Njeriut (GJEDNJ) ka ndërmarrë një projekt për këtë qëllim. Projekti po zbatohet në bashkëpunim me institucionet kombëtare respektive, Ministritë e Drejtësisë dhe të Financave, gjykatat e larta, gjyqtarët dhe përmbaruesit. Kostoja totale e projektit është 1 249 907 Euro, të Fondit të Trustit të të Drejtave të Njeriut. Objektivi i përgjithshëm i projektit është të përmirësojë ekzekutimin e vendimeve gjyqësore në Shqipëri, Azerbajxhan, Bosnje-Hercegovinë, Moldavi, Serbi dhe Ukrainë, duke ndihmuar këto shtete që të vendosin norma dhe procedura efektive për një ekzekutim më të mirë të vendimeve gjyqësore vendase. Objektivi kryesor është identifikimi i pengesave të natyrës legjislative dhe praktike, të cilat pengojnë ekzekutimin e vendimeve të gjykatave vendase dhe hartimi i një plani veprimi.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›