Rregulla të reja për zbatimin e vendimeve të gjykatës
Qeveria i ka vënë rregulla të reja vetes për të ekzekutuar vendimet gjyqësore dhe të përmbarimit, nëpërmjet një udhëzimi të ri që është miratuar gjatë mbledhjes së Këshillit të Ministrave. Ky udhëzim ka si qëllim përcaktimin e mënyrës së ekzekutimit nga llogaria e thesarit, të detyrimeve monetare të njësive të qeverisjes së përgjithshme, që rrjedhin nga vendimet gjyqësore të formës së prerë, thuhet në vendimin e djeshëm të qeverisë. Sipas procedurave të reja, përmbaruesi gjyqësor i kërkon titullarit të njësisë shpenzuese shlyerjen e detyrimit të rrjedhur nga vendimi gjyqësor i formës së prerë, në përputhje me procedurat dhe afatet e Kodit të Procedurës Civile. Nëse pagesa nuk bëhet, atëherë përmbaruesi mund të kërkojë vendosjen e masës së sekuestros. Në rast se përmbaruesi gjyqësor kërkon vendosjen e masës së sekuestros, përmbaruesi gjyqësor i dërgon titullarit të njësisë shpenzuese dhe degës së thesarit dokumentin që vërteton njoftimin e njësisë shpenzuese debitore për ekzekutimin vullnetar dhe të detyruar të detyrimit dhe marrjen dijeni nga ana e tij. Gjithashtu, i dërgon edhe vendimin gjyqësor, i cili, në kuptim të nenit 510, të Kodit të Procedurës Civile, konsiderohet si titull ekzekutiv dhe kërkesën ose urdhrin e Zyrës së Përmbarimit për vendosjen e masës së sekuestros.
Dokumentacioni është, sipas rastit, origjinal ose i noterizuar, apo i vërtetuar “njësia me origjinalin” nga sekretaria e gjykatës. Procedurat e reja detyrojnë titullarin e njësisë shpenzuese, brenda 5ditëve, t’i kërkojë degës së thesarit pagesën e shumës së detyrimit nga llogaria e parashikuar në këtë udhëzim. Nga ana e saj dega e thesarit, brenda 10 ditëve nga marrja e kërkesës nga titullari i njësisë shpenzuese, bën pagesën e detyrimit. Nëse titullari i njësisë shpenzuese nuk paraqet kërkesë brenda afatit të parashikuar dega e thesarit vendos masën e sekuestros në shpenzimet operative të njësisë shpenzuese, në masën e vendimit gjyqësor të formës së prerë, por pa prekur shpenzimet e detyrueshme për funksionimin e institucionit, si: energji, ujë dhe materiale e shërbime speciale të përshkruara në manualin e Shpenzimeve Publike, të publikuar nga ministri i Financave. Ndërkohë, manuali i ri detyron që masa e sekuestros të hiqet nga drejtuesi i degës së thesarit në çastin e paraqitjes së një grafiku të pagesës së vendimit gjyqësor dhe shlyerjes pjesore të detyrimit, nëse njësia debitore nuk ka fonde të mjaftueshme në zërin e shpenzimeve operative të vitit buxhetor aktual, apo kur ka vendim gjykate, për shtyrjen e afatit të ekzekutimit të detyrimit ose ndarjen e detyrimit në këste. Në rastet kur njësia shpenzuese debitore, me fondet buxhetore që ka në dispozicion, nuk është në gjendje të shlyejë as një pjesë të detyrimit sipas vendimit gjyqësor, në bazë të nenit 517, të Kodit të Procedurës Civile, i drejtohet gjykatës për shlyerjen pjesore të detyrimit me fondet e vitit/viteve në vijim, duke bërë edhe njoftimin përkatës, pranë përmbaruesit gjyqësor. Në rast pranimi nga ana e gjykatës, të kërkesës për ekzekutimin e pjesshëm të vendimit, njësia shpenzuese paraqet një kopje të vendimit të gjykatës në degën e thesarit, e cila merr masa dhe e regjistron si angazhim buxhetor të njësisë shpenzuese, të detyrueshëm për t’u zbatuar. Njësia shpenzuese, me përparësi në vitet e ardhshme, planifikon fondet e nevojshme për shlyerjen e këtyre detyrimeve të mbartura, duke ndjekur procedurat përkatëse të planifikimit të fondeve buxhetore, të përcaktuara në aktet ligjore e nënligjore përkatëse. Në asnjë rast, nuk mund të vendoset masa e sekuestros mbi të ardhurat në burim të buxhetit të shtetit, pasi ato nuk janë fonde buxhetore të njësisë debitore.
Dega e thesarit vendos masën e sekuestros në shpenzimet operative të njësisë shpenzuese, në masën e vendimit gjyqësor të formës së prerë, por pa prekur shpenzimet e detyrueshme për funksionimin e institucionit.
Kërkesa dhe dokumentacioni
Përmbaruesi gjyqësor i dërgon titullarit të njësisë shpenzuese dhe degës së thesarit:
1. Dokumentin që vërteton njoftimin e njësisë shpenzuese debitore për ekzekutimin vullnetar dhe të detyruar të detyrimit dhe marrjen dijeni nga ana e tij;
2. Vendimin gjyqësor, i cili, në kuptim të nenit 510, të Kodit të Procedurës Civile, konsiderohet si titull ekzekutiv;
3. Kërkesën/urdhrin e Zyrës së Përmbarimit për vendosjen e masës së sekuestros.
Afatet
-Titullari i njësisë shpenzuese, brenda 5 ditëve, i kërkon degës së thesarit pagesën e shumës së detyrimit nga llogaria e parashikuar në këtë udhëzim.
-Dega e thesarit, brenda 10 ditëve nga marrja e kërkesës nga titullari i njësisë shpenzuese, bën pagesën e detyrimit.
-Nëse titullari i njësisë shpenzuese nuk paraqet kërkesë brenda afatit të parashikuar, dega e thesarit vendos masën e sekuestros në shpenzimet operative të njësisë shpenzuese, në masën e vendimit gjyqësor të formës së prerë, por pa prekur shpenzimet e detyrueshme për funksionimin e institucionit, si: energji, ujë dhe materiale e shërbime speciale të përshkruara në manualin e Shpenzimeve Publike, të publikuar nga ministri i Financave.
Kur hiqet masa e sekuestros
-Në çastin e paraqitjes së një grafiku të pagesës së vendimit gjyqësor dhe shlyerjes pjesore të detyrimit, nëse njësia debitore nuk ka fonde të mjaftueshme në zërin e shpenzimeve operative të vitit buxhetor aktual.
-Kur ka vendim gjykate për shtyrjen e afatit të ekzekutimit të detyrimit ose ndarjen e detyrimit në këste.
Shlyerja me këste
- Në rastet kur njësia shpenzuese debitore, me fondet buxhetore që ka në dispozicion, nuk është në gjendje të shlyejë as një pjesë të detyrimit sipas vendimit gjyqësor i drejtohet gjykatës për shlyerjen pjesore të detyrimit me fondet e vitit/viteve në vijim, duke bërë edhe njoftimin përkatës, pranë përmbaruesit gjyqësor.
- Në rast pranimi nga ana e gjykatës, të kërkesës për ekzekutimin e pjesshëm të vendimit, njësia shpenzuese paraqet një kopje të vendimit të gjykatës në degën e thesarit, e cila merr masa dhe e regjistron si angazhim buxhetor të njësisë shpenzuese, të detyrueshëm për t’u zbatuar.
-Njësia shpenzuese, me përparësi në vitet e ardhshme, planifikon fondet e nevojshme për shlyerjen e këtyre detyrimeve të mbartura, duke ndjekur procedurat përkatëse të planifikimit të fondeve buxhetore, të përcaktuara në aktet ligjore e nënligjore përkatëse. Këto parashikime i bëhen të njohura edhe njësisë së qeverisjes së përgjithshme nga e cila varet.