Hapësira postsovjetike mes shkatërrimit dhe integrimit
Krijimi i një unioni doganor në hapësirën postsovjetike është projekti më i ri për riintegrimin e këtyre vendeve. Por më parë kanë dështuar shumë projekte të tjera. Do të ketë ky sukses? Bashkimi i Shteteve të Pavarura është krijuar prej Rusisë, Bjellorusisë dhe Ukrainës në dhjetor të vitit 1991, pak para shkatërrimit zyrtar të Bashkimit Sovjetik. Së shpejti në këtë Bashkim janë futur edhe tetë ish-republika të tjera sovjetike, por jo edhe tre vendet e Baltikut. As Ukraina më nuk ndihet anëtare, pasi që nuk e ka miratuar statusin e parashikuar. "Ky Bashkim i Shteteve të Pavarura ishte si një lloj pasardhësi i Bashkimit Sovjetik, por me kohë ka humbur rëndësinë", thotë Hans-Henning Schröder nga fondacioni për Shkencë dhe Politikë në Berlin. Por Rusia vazhdonte me përpjekjet që të krijojë aleanca politike me të paktën disa prej ish-republikave sovjetike. Për këtë shkak kohët e fundit janë krijuar një varg organizatash rajonale. "Por ato nuk funksionojnë si duhet", thotë Schröder. Krahas Bashkimit të Shteteve të Pavarura në hapësirën e ish - Bashkimit Sovjetik, në vitin 2002 janë krijuar Bashkësia Ekonomike Euroaziatike dhe Organizata për Siguri Kolektive, ndërsa në vitin 1999 Unioni mes Rusisë dhe Bjellorusisë.