Letra e të afërmve të viktimave të Gërdecit për Ina Ramën
Të afërmit e të vdekurve nga shpërthimet fitojnë të drejtën e pjesëmarrjes si palë e tretë në gjyqin penal
TIRANË- Familjarët e viktimave të Gërdecit do të marrin pjesë në gjyqin penal kundër shkaktarëve të tragjedisë. Prokurorja e Përgjithshme, Ina Rama, pranoi kërkesën e të dëmtuarve të tragjedisë për të përfshirë si palë në proces avokatët e tyre. Sipas burimeve zyrtare pranë organit qendror të akuzës konfirmohet se kryeprokurorja Rama, katër ditë pas depozitimit të kësaj kërkese ka pranuar dhe lejuar avokatët e zgjedhur prej familjarëve të viktimave, të cilët kanë marrë përsipër të mbrojnë interesat e të dëmtuarve të Gërdecit në procesin hetimor dhe gjyqësor. “Me datë 16 qershor të këtij viti, avokatët e organizatës “Mjaft”, të përfaqësuar me prokurë të posaçme nga 9 familjarët e të dëmtuarve, kanë depozituar në zyrën e protokollit një kërkesë drejtuar Prokurores së Përgjithshme, Ina Rama. Pas kryerjes së procedurave përkatëse, Rama ka urdhëruar grupin hetimor të tragjedisë së Gërdecit, të lejojë si palë të tretë në procesin hetimor, avokatët e të dëmtuarve të kësaj tragjedie”,-thuhet nga burimet e akuzës.
***
Mësohet se kryeprokurorja Ina Ramai ka vlerësuar të ligjshme argumentet e kësaj kërkese. Sipas kërkesës së dorëzuar pranë organit të akuzës, 9 familjarët e të dëmtuarve kanë renditur në dy pika objektin e kësaj kërkese: kërkohet përfshirja e tyre në këtë hetim penal, me cilësinë e të dëmtuarve dhe kërkesa e dytë, që t’i jepet mundësia avokatëve të tyre të njihen me aktet e dosjes hetimore, me qëllim që të përmbushim të drejtën për të kërkuar procedimin e fajtorëve, si dhe shpërblimin e dëmeve, që i janë shkaktuar nga veprat penale të konsumuara prej tyre. Në kërkesën e nënshkruar nga 9 familjarët, apo trashëgimtarët ligjorë të një pjese të viktimave të tragjedisë së Gërdecit thuhet se: “ne kërkuesit jemi persona të dëmtuar, ku secili prej nesh ka një akumulim dëmesh si: vdekje të personave të afërt, dëmtime në shëndet, shkatërrim të pronës, si dhe të pasurive të tjera të luajtshme”,-thuhet në kërkesën që familjarët e viktimave i kanë dërguar Ina Ramës.
***
“Meqenëse pozita jonë juridike ngërthen dy elementë atë: të së drejtës për të kërkuar procedimin e fajtorëve, si dhe për të kërkuar shpërblimin e dëmit, e duke qenë se Prokuroria ka filluar hetimin ndaj disa prej atyre personave të dyshuar, do të kërkonim që t’i mundësonit avokatëve tanë të njihen me aktet e dosjes hetimore, si dhe të marrin kopje të tyre. Kjo njohje paraprake me ecurinë e hetimeve është e domosdoshme, pasi në vijim të saj ne do të përpunojmë qëndrimin tonë, në lidhje me provat që do të kërkojmë të merren, me cilësimin që mund t’i japim fakteve, si dhe me përpilimin e një padie civile “,-thuhet në letrën dërguar Ina Ramës. Për shpërthimin e ndodhur në ish-repartin e tankeve në Gërdec, prokuroria ka arrestuar si persona përgjegjës për këtë tragjedi administratorin e shoqërisë “Albademil”, Mihal Delijorgji, kunatin e tij, Dritan Minxolli, ish-kreun e MEICO-s, Ylli Pinarin. Në cilësinë e personave në hetim janë marrë drejtori i Logjistikës pranë Ministrisë së Mbrojtjes si dhe inspektori i MEICO-s.
KËRKUESIT
Rigon Durdaj, i biri i Veliut, i lindur në Gramsh dhe banues në Marqinet, Vorë;
Ferruzan Durdaj, i biri i Veliut, i lindur në Gramsh dhe banues në Marqinet, Vorë;
Gëzim Ballazhi, ibiri i Saliut, i lindur në Gurrë të Madhe, Mat, banues në Marqinet, Vorë;
Bajram Leti, i biri i Ramazanit dhe i Zylijes, i lindur në Gjon, Mat dhe banues në Marqinet, Vorë;
Hekuran Kaca, i biri i Rrahmanit, i lindur në Mat dhe banues në Muçaj, Vorë;
Dhimitër Hazizaj, i biri i Homet, i lindur në Gramsh dhe banues në Marqinet, Vorë;
Gëzim Cani, i biri i Shefkiut, i lindur në Mat dhe banues në Muçaj, Vorë;
Mustaf Laci, i biri i Mustaf, i lindur Gjurrë-Rec në Dibër dhe banues në Vorë