E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kokaina në fakultete, dy në pranga

 

Policia e Tiranës sekuestron 324 gram kokainë dhe arreston Artan Llurin dhe Edmond Stefanin

TIRANË- Operacioni i koduar “Emigranti” çon në qeli një furnitor dhe një korrier të kokainës në Tiranë. Antidroga e policisë së kryeqytetit ka organizuar një operacion dy netë më parë, i cili u finalizua me sekuestrimin e një sasie prej 324.3 gramë drogë e dyshuar kokainë si dhe me arrestimin e dy personave. Artan Lluri, 40-vjeç dhe Edmond Stefani, 31-vjeç, janë prangosur pasi dyshohet se ishin pronarë të kokainës së sekuestruar nga policia. Burime zyrtare nga policia e kryeqytetit thanë se dy personat u kapën në afërsi të fakultetit të Drejtësisë në Tiranë, gjatë orëve të vona të së mërkurës, me një sasi lënde narkotike e dyshuar kokainë. Të njëjtat burime thanë se po punohet për të identifikuar dhe kapur të tjerë persona të implikuar në këtë rrjet të trafikimit të kokainës. Dy muaj më parë, agjentët e antidrogës pranë policisë së Tiranës në rrugë operative siguruan informacione për një rrjet tregtie kokaine në kryeqytet, duke disponuar dhe emrat e shpërndarësve të dyshuar. Menjëherë antidroga nisi hetimet për të kryer kapjen në flagrancë të trafikantëve. Kështu pas dy muaj hetime intensive, policia ndërmori dy netë më parë një operacion për kapjen e shpërndarësve të drogës. Burime nga policia thanë se pranë fakultetit të Drejtësisë në kryeqytet, u bë e mundur prangosja e Llurit dhe Stefanit të cilët u shoqëruan menjëherë në ambientet e drejtorisë së policisë së Tiranës ku dhe u morën në pyetje. Nga hetimet e para policia bëri me dije se droga e dyshuar e llojit kokainë sigurohej jashtë shtetit nga Artan Lluri, ndërsa shpërndarja realizohej nga Edmond Stefani. Burime zyrtare nga policia thanë se në cilësinë e provës materiale, gjatë një kontrolli të imtësishëm që ju ushtrua të arrestuarve u sekuestruan sasia prej 324.3 gram lëndë e dyshuar kokainë, dy peshore elektronike, tre pasaporta në emër të shtetasit Artan Lluri, (dy prej të cilave shqiptare dhe një pasaportë bullgare). Gjithashtu, atyre iu sekuestruan dhe 155 000 euro, 10 800 dollarë e 92 000 lekë, një makinë tip-Mercedez në pronësi të shtetasit Artan Lluri si dhe dy aparate celularë. “Aktualisht, specialistët e seksionit të Luftës Kundër Drogës në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Tiranë, po punojnë për zbardhjen e plotë të këtij rrjeti trafiku, apo hetimin e persona të tjerë të përfshirë si dhe të asete të përfituara nga kjo veprimtari kriminale. Ndërsa materialet hetimore të përpiluara në ngarkim të tyre i kaluan Prokurorisë së Tiranës, për veprën penale të “prodhimit dhe shitjes së lëndëve narkotike”- thuhej në deklaratën për shtyp lëshuar nga policia e Tiranës.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›