E Diel, 1 Nëntor 2026

Ekzekutivi fton investitorët: “Shqipëria, parajsë për investimet e huaja”

05-01-2012 / Gazeta 55

Të ardhurat tatimore dhe doganore, në vitin 2011 ishin 400 milionë dollarë më shumë se në 2009-ën


Realizimi i objektivave ekonomike mbetet një tjetër sfidë e qeverisë për vitin 2012-ë. Sipas kryeministrit Berisha, ky është viti që zona e euros është në krizë, çka tregon se kërkohet vendosmëri shumë e madhe për të zgjeruar çdo ditë e më shumë frymëmarrjen dhe lirinë ekonomike, të biznesit. Kryeministri bëri thirrje që “të dërgojmë mesazhe se në këtë vend investohet, se ky është një vend parajsë për investimet e huaja dhe të reja”. Duke u ndalur specifikisht te treguesit ekonomikë të viti 2011-të, viti i krizës ekonomike për rajonin dhe më gjerë, Berisha tha se të ardhurat tatimore dhe doganore ishin 400 milionë dollarë më shumë se në vitin 2009. “Për çdo qytetar shqiptar dua të informoj se të ardhurat tatimore dhe doganore me 31 dhjetor të viti 2011 ishin 295 miliard lekë, ishin 400 milion dollarë më shumë, se ne vitin 2009. Po i referohem vitit 2009, nuk mund të shkoj te viti 2004, kur në total ato ishin 97 miliard lekë. Pra, performanca e ekonomisë shqiptare në vitin 2011 ishte e atillë, që realizoi të ardhura më shumë se kurrë në historinë e vendit, realizoi 295 miliardë kundrejt 255 miliardë që kanë qenë në total, në vitin 2009, pra ekzaktësisht 400 milion dollarë më shumë, ekzaktësisht rruga Elbasan-Tiranë më shumë. Duke theksuar këtë, është në detyrën tonë që këtë vit ta shndërrojmë në një vit suksesi edhe më të madh. Ky vit është një vit, në të cilin kriza ka marrë përmasa të mëdha në zonë  e euros, çka tregon se nga ne kërkohet një vendosmëri shumë  e madhe për të zgjeruar çdo ditë e më shumë frymëmarrjen dhe lirinë ekonomike. Ne nuk kemi alternativë tjetër për të mbajtur rritjen ekonomike, për të vazhduar me ambicie programet tona, projektet tona, përveçse performancës ekonomike”, u shpreh Berisha. Ndërkaq, kreu i qeverisë kërkoi nga ministrat që ligji për koncesionet të plotësohet me nenet e partneritetit publik, në mënyrë që investitorëve t’u përcillet mesazhi se pavarësisht krizës ekonomike në rajon, në Shqipëri investohet dhe se qeveria mbron dhe garanton investimet e huaja. “Në qoftë se ju lexoni ligjin e koncesioneve, i cili duhet të plotësohet me urgjencë me nenet e partneritetit publik, privat, në qoftë se vështrojmë potencialet  e mëdha që kemi, ne, këtë vit mund të tejkalojmë qartësisht, pavarësisht nga kriza në rajon, objektivat tona ambicioze. Le të dërgojmë ne, mesazhe në të katër anët se në këtë vend investohet, se ky është një vend mikpritës për investitorët dhe investimet e huaja. Ne bëmë disa hapa shumë të rëndësishëm, ne shpallëm faljen, e cila nuk pati rikthimin e kapitalit që mund të rikthehej, por për ne, rëndësi të jashtëzakonshme pati fakti që fituan qytetarët më shumë se gjithë të tjerët. Deri më tani, 15 mijë familje kanë rivlerësuar pronat e tyre. 15 mijë familje bëjnë tani transaksione me pronat e tyre, duke paguar gjithsej 1 për qind, pra u krijua me këtë rast, një frymëmarrje e madhe të tregun e pasurive të paluajtshme sepse ishte  një pengesë pagesa që duhet të bënin, ndaj dhe kjo për shkak të kërkesave të panumërta u shty deri më datën 31 mars. Uroj dhe dëshiroj që edhe biznesmenët të përfitojnë. Ne nuk e veçuam, e bëmë të plotë siç ishte, por e vërteta është që, motivi kryesor qenë qindra dhe mijëra kërkesa të qytetarëve për banesat e tyre”, tha Berisha. Gjithashtu, kreu i qeverisë theksoi se pavarësisht atyre që u bien borive të krizës, ekonomia shqiptare është e shëndoshë dhe si e tillë, të ardhurat tatimore dhe doganore janë më të larta se asnjë vit tjetër. Po ashtu, edhe eksportet për muajin dhjetor kanë shënuar një shifër rekord prej 170 milionë dollarë. “Ne kemi shanse që të tejkalojmë këtë vit, objektivat tona shumë të mirë studiuara. U fol, u ranë borive se kanë rënë të ardhurat. Doganat shqiptare e kanë mbyllur me 101 për qind. Tatimet kanë lënë 2 apo 3 për qind më pak. Në total, të ardhurat janë më shumë se asnjë vit, janë 400 milion dollarë më shumë se viti 2009. Eksportet e dhjetorit kanë shënuar rekord me 170 milion dollarë. Ky është modeli që funksionon, por ky model mund të funksionojë më mirë në çdo qelizë të tij, me angazhimin tonë të plotë. Viti ka një apel të madh për ne, që të jetë ky, viti i sukseseve më të mëdha, i arritjeve më të mëdha, në mënyrë që të dëshmojë se jemi në një vit jubilar, se jemi mirënjohës pa kufij ndaj të gjithë atyre që u flijuan, që Shqipëria sot, të jetë e lirë dhe e pavarur 100 vjeçare, ndaj, të gjithë atyre që me lumenj djerse bënë gjithçka që ky vend të arrijë sot aty ku ka arritur. Në një prej treguesve kryesorë, absolut me themelor, të çdo shteti, që është banesa, vendi ynë lë sot pas, 4 deri 5 vende të zhvilluara anëtare të OECD dhe BE. Le të vazhdojmë ne që të bëjmë gjithçka që kjo garë në të gjitha fushat të ecë me shpejtësinë më të madhe të mundshme”, deklaroi më tej kryeministri Berisha. Shqipëria dixhitale Për kryeministrin Berisha 2012-a është viti i kompletimit të projektit Shqipëria dixhitale. Synimi i qeverisë është që në 100 vjetorin e Pavarësisë, Shqipëria të jetë një vend dixhital. “Ky vit është viti i Shqipërisë dixhitale, prandaj zotërinj ministra, në axhendën tuaj të parë do të jenë Shqipëria dixhitale. Të gjitha projektet dixhitale dhe zbatimi i tyre me përparësi absolute, janë puna juaj e përditshme. Nuk ka shërbim më të madh që mund ti bëhet këtij vendi sesa në 100 vjetorin e tij ta bëjmë një vend dixhital”.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›