E Shtunë, 31 Tetor 2026

Reforma Zgjedhore - presim rezultate konkrete gjatë 2012, megjithëse palët vazhdojnë të jenë mosbesuese

05-01-2012 / Gazeta 55

Eugen Wollfarth/ Rekomandimet e OSBE/ODIHR dhe Komisionit të Venecias, garanci për plotësimin e standardeve në proceset e ardhshme zgjedhore

Kreu i prezencës së OSBE-së në vendin tonë, Eugen Wollfarth, deklaron se gjatë vitit 2012-të përfaqësitë ndërkombëtare në Tiranë, presin rezultate konkrete për reformën zgjedhore. E konsideruar si një nga çështjet jetike dhe kërkesat permanente të ndërkombëtarëve, ligji elektoral është në fazën e diskutimeve mes forcave politike, ndërsa janë hedhur hapat e parë drejt amendimit të Kodit Zgjedhor.
Gjatë një interviste televizive, Wollfarth tha se krahas reformave të tjera, edhe ligji elektoral mbart rëndësinë e tij, për garantimin e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme. Sipas tij, e rëndësishme është që në zgjedhjet e ardhshme të eliminohen defektet teknike të shkaktuara nga komisionerët.
“Nuk është dhe aq e ndryshme nga reformat e tjera që nevojiten por është një reformë shumë e veçantë sepse ka të bëjë me ditën e parë të politikanëve - zgjedhjet. Për politikanët, të jesh kandidat mbase është koha më stresuese e jetës së tyre. Ata konkurrojnë, duan të zgjidhen dhe mezi presin të zgjidhen. Vullneti politik nevojitet jo vetëm për të fituar por gjithashtu është tepër i rëndësishëm dhe për një lojë të pastër. Kjo ka një rëndësi të jashtëzakonshme. Kjo është arsyeja pse deklarohet vazhdimisht nga raportet e OSBE/ODIHR-it. Rekomandimi i parë në raportin e vitit 2009 ishte krijimi i një vullneti më të madh politik. Në vitin 2011, ishte pikërisht e njëjta gjë. Pra mundohuni të luani pastër, prisni lojë të pastër dhe gjëja e rëndësishme është media dhe publiku, publiku i interesuar. Ata kanë një rol të madh në të. Më kujtohet që klima në dhomë ishte mbresëlënëse dhe unë akoma admiroj njerëzit që numëruan, se si e bënë këtë nën rrethanat ekzistuese, me kamera, me ato makinat lexuese, me njerëz që numëronin publikisht, dhe duke bërtitur ndonjëherë. Dua të them se papritur kishte një interes shumë të madh mbi atë çka po ndodhte dhe një gjë e tillë nevojitet. Me këtë ushqehet demokracia. Ata ishin momente fantastike demokracie. Mua nuk më pëlqyen të tëra aspektet e procesit të numërimit. Disa nga numëruesit erdhën shumë vonë dhe pa dhënë ndonjë shpjegim të arsyeshëm. Kjo pjesë e procesit duhet të organizohet më mirë në të ardhmen, duke respektuar rregullat në mënyrë të përpiktë. Shumica e rregullave janë të mira, janë ligje të mira dhe rregullore të mira. Se si jetësohen ata dhe se si zbatohen, kjo është një pyetje tjetër dhe fatkeqësisht shumë shpesh përgjigja nuk është dhe aq pozitive.
Pyetje: Meqë përmendët çështjen e numëruesve, a është e mundur që zgjidhja më e
mirë të jetë prezantimi i numërimit elektronik të votave? Përgjigje: Kjo është për tu parë. Ka disa rreziqe me numërimin elektronik. Nevojitet gjithashtu shumë investim dhe përvojë. Unë jam nga një rajon i Gjermanisë i cili beson më shumë tek tradita. Ne përdorim letër shumë të lirë, si letër gazete, për fletët e votimit. Nuk janë aq të zhvilluara sa ato që përdorët këtu gjatë zgjedhjeve vendore. Ka të bëjë me kontrollin e ndërsjellët, anëtarë të partive të ndryshme politike që punojnë së bashku, numërojnë së bashku dhe mbikëqyrin procesin, procesin e votimit dhe procesin e numërimit së bashku, në mënyrë që mashtrimi të jetë gati i pamundur. Le të ndërtojmë atë besim që unë
dua të përmend vazhdimisht. Provoni me pak besim, ndërtoni mbi të, dhe besimi rritet, dhe gjërat mund të bëhen më të qarta. Sa për votimin elektronik, disa shtete kanë përvoja të mira me të, pra kjo gjë duhet parë. Por siç thashë, unë besoj më shumë tek mënyra tradicionale: kur njerëzit kanë qëllim të punojnë së bashku dhe të luajnë pastër, ata mund ta bëjnë”, u shpreh Wollfarth.
Duke analizuar vitin 2011-të, ambasadori i OSBE-së tha se pavarësisht mos marrëveshjeve politike në periudha të caktuara, ky vit mbetet viti i frymës konstruktive, që u konkretizua me funksionimin e parlamentit dhe miratimin e ligjeve me shumicë të cilësuar.
“Viti 2011 ishte vërtetë një vit interesant. Gjëja më e rëndësishme që duhet mbajtur mënd është fryma konstruktive, ndërtimi i Shqipërisë, forcimi i saj për të ardhmen dhe tashmë janë bërë hapa gjigantë në këtë drejtim. Unë pata përshtypjen se së bashku me disa partnerë, Prezenca e OSBE-së në Shqipëri, SHBA, dhe Bashkimi Evropian, siguruan një ndihmë të madhe për të arritur tek ky nivel fryme konstruktive. Unë jam thellësisht i bindur se është shumë e rëndësishme të ndihmojmë partnerët tonë Shqiptarë të mbajnë mënd këtë. Ka të bëjë me ndërtimin për të ardhmen dhe me arritjen e integrimit Evropian. Kjo është një detyrë shumë e vështirë. Ka shumë për të zhvilluar, shumë për tu ndërtuar, jo vetëm në infrastrukturë por gjithashtu brenda qenieve njerëzore, në arsimim, dhe veçanërisht sjelljet e njerëzve. Këtu unë qëllimisht përfshij kuptimin e sistemit politik dhe demokratik. Kjo ka të bëjë me vlerat thelbësore të OSBE-së dhe me gjetjen e terreneve dhe vlerave të përbashkëta që janë demokratike dhe të orientuara drejt të drejtave të njeriut dhe shtetit ligjor. Dhe nëse kjo paketë e përbashkët arrihet, atëherë ky është rezultati më i mirë për ekonominë, për investime, dhe për vende pune. Kjo është e rëndësishme: të ardhura të sigurta në një ambient të sigurt. Unë mendoj se disa hapa përpara u hodhën në vitin 2011. Pati disa kthesa të rrezikshme. Nisi mjaft ashpër në fillim të vitit. Fatmirësisht nuk vazhdoi ashtu. Ne pamë zgjedhjet vendore, që ishin shumë të rëndësishme, me pjesëmarrje të gjerë të qytetarëve dhe me disa vështirësi në procesin e numërimit të cilat kanë nevojë për rishikim. Ja përse nevojitet aq shumë një reformë zgjedhore. Pra, ka disa pika ku nevojitet të behet shumë punë, disa të tjera ku duhet bërë pak punë, por ajo që është e sigurt është se viti 2012 është përpara”, tha Ëollfarth.
Sa i takon zgjedhjeve vendore të 8 majit 2011-të, kreu i prezencës së OSBE-së tha se ai proces ishte një hap më tej, drejt plotësimit të standardeve dhe rekomandimeve të OSBE/ODIHR.
“Të tërë, nga brenda dhe jashtë Shqipërisë, kanë parë raportin e OSBE/ODIHR-it mbi zgjedhjet vendore. Ishte një hap. Nevojitet pune e mëtejshme. Kryetarët e bashkive janë zgjedhur dhe këshillat bashkiak janë formuar, dhe këta persona gjithashtu panë se çfarë duhet bërë për të parë përparim dhe për të gjetur mënyra më të mira për të organizuar gjërat. Sigurisht, pati disa vështirësi në emërimin e komisionerëve zgjedhor. Sidoqoftë, vetë dita e zgjedhjeve kaloi relativisht qetë, ndërsa procesi i numërimit pati qartësisht disa sfida në fusha të caktuara. Ai zgjati më shumë se pritej apo nevojitej - si për shembull në rastin e rezultatit për Tiranën. E gjithë kjo hapi disa diskutime për të ardhmen. Pra, çfarë duhet bërë në të ardhmen në mënyrë që Kodi Zgjedhor t’u japë përgjigje këtyre pyetjeve, si për shembull çështjes së votave të hedhura në kutinë e gabuar. Këto pyetje duhet të gjejnë përgjigje në procesin e reformës duke pasur një fushë të barabartë për tërë pjesëmarrësit. Unë mendoj se është e rëndësishme gjithashtu të krijohet diçka që është thelbësore në tërë shoqëritë demokratike; besimi, besimi i ndërsjellët dhe gjithashtu besimi tek sistemi. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve pati një detyrë shumë të vështirë në një klimë jo dhe aq dashamirëse, të organizonte zgjedhje që ishin teknikisht shumë komplekse në 384 njësi vendore. Pra, ishte një problem që duhej zgjidhur në një ditë dhe që pati gjithashtu disa pengesa dhe disa zgjedhje të përsëritura më vonë”, tha më tej ai.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›