Plani urbanistik – kryebashkiaku Lulzim Basha nis konsultimet me banorët e Tiranës

Bashkia e Tiranës deklaron se këtë muaj do të nisin konsultimet me qytetarët për planin rregullues të Tiranës. “Zhvillimi urban ka nevojë për një klimë të re të planifikimit të territorit për t’i kthyer klimën e duhur zhvillimit ekonomik, një prioritet i Bashkisë. Kemi gjetur mirëkuptimin e njësive vendore kufitare me qytetin e Tiranës, të cilat, me përgjegjësi qytetare, i janë përgjigjur ftesës tonë për bashkëpunim”, u shpreh kryebashkiaku Lulzim Basha në mbledhjen e fundit të grupit teknik për konceptimin e Planit Territorial të Tiranës.
Grupi i punës po studion dhe vlerat arkitektonike dhe historike të Tiranës.
Arkitekti Flamur Kuçi, drejtuesi i grupit teknik për konceptimin e Planit Territorial të Tiranës dhe këshilltar i Kryeministrit për çështjet urbane, duke argumentuar vizionin e Planit të ri Urbanistik në këtë drejtim dhe mënyrën se si plani do t’i përgjigjet dëmeve urbanistike, vuri në dukje se Tiranës i duhet një vlerësim serioz profesional mbi atë çka është realisht vlerë arkitektonike dhe historike në qytet.
“Jemi dëshmitarë që për arsye jo profesionale i jepen vlera historike edhe objekteve që kanë shënuar momente regresive në historinë e kombit, si rasti i piramidës, apo rasti i lagjeve autoktone. Konsiderojmë që nuk është reale dhe e drejtë që lagjet autoktone, jashtë kushteve bazë të banimit, të konsiderohen ‘historike’ pa një bazë profesionale dhe duke privuar këto njerëz nga zhvillimi i drejtë i pronës së tyre, ndërkohë që plani urban i Tiranës duhet të parashikojë instrumente reale të mbrojtjes dhe zhvillimit të monumenteve të trashëgimisë kulturore dhe historike”.
Planin e ri urbanistik, i cili po hartohet për të qenë gati në pranverën e ardhshme, për herë të parë do të ketë një metodologji shkencore. Ai nuk do të jetë një plan “vizatim”, por një plan me përllogaritjet e duhura, duke iu përgjigjur realisht dhe me efiçencë nevojave të qytetit.