Ekzekutivi i UEFA-s konfirmon pezullimin
Komiteti Ekzekutiv i UEFA-s, i mbledhur dje në Vaduz të Lihtenshtejnit, ka konfirmuar pezullimin e Shqipërisë nga aktivitetet ndërkombëtare. Drejtuesit e futbollit evropian kanë njoftuar FSHF-në se është lënë në fuqi vendimi i marrë nga FIFA dhe për këtë arsye, Shqipëria dhe klubet e saja vazhdojnë të jenë të pezulluara, për sa kohë që nuk do të plotësohen kushtet e caktuara nga FIFA. Përfaqësuesi i zyrës së shtypit të FSHF-së, Lysjen Nurishmi, bëri të ditur se gjatë ditës së sotme do të merren informacionet e plota rreth vendimit të ekzekutivit, sidomos për çështjen e përfaqësueseve të moshave. Përveç shtyrjes pa afat të ndeshjes zyrtare mes U21 të Shqipërisë dhe Greqisë, rrezikohet edhe pjesëmarrja e përfaqësueses U19 në turin e dytë të Evropianit të kësaj moshe.