E Shtunë, 31 Tetor 2026

Heqja e vizave, 1300 shqiptarë provojnë lirinë

Policia e Kufirit, takim me homologët grekë në Kakavijë për lehtësimin e procedurave të kalimit për shtetasit shqiptarë me pasaportë biometrike

Vijon normalisht lëvizja e shtetasve shqiptarë të pajisur me pasaporta biometrike drejt vendeve të hapësirës Shengen. Pavarësisht disa kthimeve në pikën kufitare të Kakavijës për mangësi në dokumentacion, në pikat e tjera kufitare apo dhe në ato detare e ajrore, mësohet të mos ketë pasur pengesa. Madje, të gjithë shtetasve shqiptarë u është shpërndarë nga një broshurë me rregullat e qëndrimit në hapësirën Shengen. Sipas burimeve zyrtare nga Policia e Shtetit, procesi i lëvizjes së lirë të qytetarëve shqiptarë ka vijuar pa probleme dhe me ritëm normal në të gjitha Pikat e Kalimit Kufitar, ku nga orët e para të mëngjesit të ditës të dy ditëve më parë deri mbrëmjen e djeshme kanë udhëtuar me pasaportë biometrike drejt vendeve Shengen 1.295 shtetas shqiptarë. Në Pikën e Kalimit Kufitar Kakavijë, ku ka pasur moskuptime, zv.drejtori i Përgjithshëm i Policisë për Kufirin dhe Migracionin, z. Pëllumb Nako, zhvilloi një takim pune me përfaqësuesit e policisë greke, me qëllim koordinimin e veprimeve në mënyrë që procesi të jetë sa më normal. Aktualisht, procesi i lëvizjes së qytetarëve shqiptarë në këtë pikë kalimi vazhdon normalisht. Nga orët e para të mëngjesit të ditës së djeshme, në Pikat e Kalimit Kufitar kanë kaluar me pasaportë biometrike 631 shtetas shqiptarë. Ndërkohë gjatë 24 orëve të dy ditëve më parë në drejtim të vendeve të zonës Shengen kanë kaluar me pasaportë biometrike 664 shtetas shqiptarë. Po e njëjtë në lëvizje ka qenë situata edhe në linjat ajrore. Nga Pika e Kalimit Kufitar Rinas gjatë dy ditëve më parë kanë kaluar me pasaportë biometrike 314 shtetas. Nga fillimi i lëvizjes së lirë pa viza, nga Rinasi kanë udhëtuar me pasaportë biometrike drejt vendeve Shengen 494 qytetarë shqiptarë. Ndërsa në Pikën e Kalimit Kufitar Kapshticë gjatë ditës së djeshme kanë lëvizur me pasaportë biometrike 171 shtetas shqiptarë. Nga fillimi i lëvizjes së lirë pa viza, nga kjo pikë kanë udhëtuar me pasaportë biometrike 363 qytetarë shqiptarë. Në Pikën e Kalimit Kufitar Kakavijë gjatë ditës së djeshme kanë lëvizur me pasaportë biometrike 100 shtetas shqiptarë dhe në Pikën e Kalimit Kufitar Tri Urat kanë kaluar 16 shtetas. Nga fillimi i lëvizjes së lirë pa viza, nga këto Pika Kalimi Kufitar kanë udhëtuar me pasaportë biometrike 201 qytetarë shqiptarë. Nga Pika e Kalimit Kufitar Porti Durrës, nga dy ditë më parë që kur filloi ky proces, me pasaportë biometrike kanë kaluar 130 shtetas. Përmes Pikës së Kalimit Kufitar të Drejtorisë Rajonale të Kufirit e Migracionit Vlorë, nga dy ditë më parë kur filloi ky proces, me pasaportë biometrike kanë kaluar 107 shtetas shqiptarë. Lëvizja e lirë, pa viza, e qytetarëve Shqiptarë po vazhdon normalisht, me ritëm normal, në të gjitha vendet e zonës Shengen. Nga Departamenti i Kufirit dhe Migracionit në Policinë e Shtetit janë marrë të gjitha masat për një lëvizje normale dhe pa probleme të shtetasve Shqiptarë. Në kuadër të këtyre masave në të gjitha Pikat e Kalimit Kufitar është dërguar dhe shpërndarë një “Kujtesë” mbi rregullat e qëndrimit në vendet Shengen për të gjithë ato shtetas shqiptarë që do të lëvizin pa viza. Ndërkohë është bashkëpunuar ngushtë dhe me homologët për lehtësimin e lëvizjes së qytetarëve shqiptarë të pajisur me pasaportë biometrike.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›