E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ekzekutohet në atentatin e tretë 50-vjeçari Dorzi

Autori i Lajmit: Ornela Manjani
Ramzan Dorzi duket se kishte para ndjerë gjithçka. Nuk largohej shumë nga lagjja shoqërohej me të afërm të tij madje mbante dhe pistoletë në brez

Eksekutohet me plumb pas kokë Ramazan Dorzi. 50-vjeçari nga Peza me banim në Yzberisht u kishte shpëtuar dy antentateve të mëparshme për tu vrarë dje në një ekzekutim mafioz në mes të ditës në mes të një lagjeje të banuar. Ngjarja e rëndë ka tronditur jo vetëm Yzberishtin por gjithë kryeqytetin. Një djalë i ri i ka vënë pistoletën pas kokë dhe ka qëlluar më një plumb të vetëm 50-vjeçarin, i cili po pinte kafe me dy shokë të tij në një lokal në anë të rrugës në Yzberisht. Autori është larguar në këmbë të rrugicat e lagjes, duke pas të vdekur viktimën dhe në gjendje të fikti dy personat që e shoqëronin. Uniformat blu, madje dhe Drejtori i Policisë së Tiranës, kanë mbërritur menjëherë në vendin e ngjarjes. Yzherishti është gjendur në shtetrrethim brenda pak minutash, por deri në orët e vona të mbrëmjes policia nuk ka mundur të bjerë në gjurmët e autorit. Pista kryesore e hetimeve është ajo e hakmarrjes. I ndjeri jetonte pak metra larg vendit ku u ekzekutua, në një vilë 2-katëshe.
Ngjarja
Ramazan Dorzi pasi ka kaluar disa orë nën shoqërinë e të motrës ka takuar dy miqtë të tij. Tre shokët janë ulur në verandën e një lokali në Yzberisht në katin e dytë të cilit është zyra elektorale e LSI-së. Pak minuta më pas një person që kishte studiuar mirë lëvizjet e 50-vjeçarit është afruar me qetësi tavolinës. Pa komunikuar me asnjëri autori i vrasjes i ka vënë pistoleten tip TT pas kokë Dorzit dhe e ka qëlluar duke e lënë të vdekur në vend. Ndërsa dy personat që gjendeshin në tavolinë kanë humbur ndjenjat. Policia është njoftuar menjëherë nga pronari i lokalit ku po pinte kafe viktima me dy miqtë e tij. Policia ka mbledhur të gjithë provat në vendin e ngjarjes si dhe ka shoqëruar në cilësinë e dëshmitarëve kyç për zbardhjen e ngjarjes dy personat që ishin në tavolinë e viktimën pronarin e lokalit si dhe persona të tjerë që gjendeshin rastësisht në vendin e ngjarjes.
Hetimet
Kreu i Policisë së Tiranës, inspektorët e komisariat Nr.6 si dhe specialistë të sektorit të vrasjeve kanë qenë brenda pak minutash në vendin e ngjarjes. Pas bllokimit të zonës nga grupi i hetimit ekspertë të Mjekësisë Ligjore kanë marrë trupin e viktimës për të kryer ekspertimin mjeko-ligjor. Burime nga policia por dhe dëshmitarë okular nga vendi i ngjarjes bëjnë të ditur se viktima është qëlluar me një plumb pas kokë. Ndërsa ekzekutimi i tij vjen pas dy atentatesh të mëparshme, ku 50-vjeçari ka shpëtuar për mrekulli.

Dëshmitarja: I riu e qëlloi pas kokë dhe iku në rrugica
Ka parë nga ballkoni i shtëpisë së saj vrasjen makabër, në mes të ditës, në mes të lagjes dhe në shoqërinë e dy miqve. E tronditur nga skena, për të cilin shprehet se do e kujtojë gjatë, një e moshuar tregon skenën e krimit. “Pashë një djalë të ri më bluze më krah të shkurtër, nuk ia kujtoj ngjyrën se u tromakska, iu afrua tavolinës i doli nga pas karriges dhe e qëlloi me pistoletë. Futi pistoletën nën bluzë dhe u largua nga rrugica me vrap”- tha një e moshuar e cila kishte parë me detaje skenën e ekzekutimit nga ballkoni i shtëpisë së saj. “Ishte shumë vapë dhe dola në ballkon për tu freskuar. Hyra në shpi me shpejtësi pasi dëgjova krismën pastaj dola prap dhe pashë që u ngrit në këmbë gjithë lagjja. Pastaj erdhi policia”, - pohon e moshuara, e cila refuzon të thotë emrin dhe aq më pak të qëndrojë në blicin e aparatit.

Ramazan Dorzi
I ka shpëtuar për mrekulli dy atentateve. Por dje Ramazan Dorzi nuk ka mundur ti mbijetojë plumbit pas koke. Në vitin 1997 i kanë vrarë një prej vëllezërve të tij. Duket se kjo ka qenë pikënisja e ngjarjeve zinxhir që sollën dhe ekzekutimin e 50-vjeçarit dje. I divorcuar nga bashkëshortja para shtatë vitesh dhe i ardhur në Yzberisht 10 vjet më parë Ramzan Dorzi jetonte në një shtëpi dy katëshe. Në katin e parë kishte një dyqan. Familja Dorzi kishte tre vajza, njëra prej të cilave ishte dje paradite në shoqërinë e tij, dhe tre djem, njëri prej tyre i vrarë në 1997. Shtëpia e Dorzve ka hapur dyert dje në mbrëmje për mort, ndërsa trupi i pajetë i 50-vjeçarit gjendej në morgun e spitalit për të kryer ekspertizën mjeko-ligjore.

Familjarët “inspektojnë” vendin e ngjarjes
Autori i ekzekutimit të 50-vjeçarit në Yzberisht kishte zgjedhur për të “marrë” hakun në kohën që viktima i tij gjendej fare pranë shtëpisë, në lagjen e tij ku jetonte prej 10 vitesh dhe njihej nga të gjithë. Përveç gjithë të njohurve të tij në vendin e ngjarjes kanë qëndruar për disa orë vëllai së bashku me nipin e viktimës. Dy njerëzit më afërt të Ramzan Dorzit kanë ndjekur nga afër çdo lëvizje të policisë. Madje edhe drejtori i Policisë së Tiranës ka pasur një dialog të shkurtër me vëllain e 50-vjeçarit. Tashmë priten deklarimet e familjarëve, që policia të zyrtarizojë pistën e hakmarrjes.
Ky lajm është publikuar: 15/06/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›