E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ekzekutohet polici i Burgut 313

Viktima Ymer Hajdari dje pas atentatit

Policia shoqëron 6 veta: Nipi i gardianit të Burgut 313 vrau një person nga Mati në Mamurras në prill 2011.

Gjakmarrja në Tiranë, Ymer Hajdari u qëllua tri herë në makinë.

Vritet me tre plumba në makinën e tij polici i Burgut 313 në Tiranë. Ymer Hajdari, 54 vjeç, u qëllua me armë zjarri rreth orës 06:30 të mëngjesit të djeshëm, kur po kalonte me makinë poshtë pallatit ku banonte me qira, tek Unaza e Re, në Tiranë. Sipas Policisë, autori i krimit e ka pritur viktimën derisa ai ka zbritur shkallët e pallatit, për të udhëtuar drejt Burgut 313, ku punonte prej më shumë se gjashtë muajsh. Sapo ka hipur në makinën e tij tip Seat, me targë AA 762 AD, të parkuar para një banke të nivelit të dytë, atentatori e ka qëlluar 3 herë me pistoletë nga xhami i përparmë i mjetit, të cilin sapo e kishte lëvizur nga vendi. Në një deklaratë për shtyp, Policia e Tiranës tha se paraprakisht vrasja e tij është kryer për motive hakmarrjeje.   Nga të dhënat e para të siguruara nga grupi hetimor, mësohet se një vit më parë, nipi i viktimës (djali i vëllait), i cili po ashtu ushtronte detyrën e gardianit në Burgun e Fushë-Krujës, ka vrarë një 40-vjeçar nga Mati. Sipas burimeve nga Policia, që kur Akil Hajdari vrau me armën e shërbimit Shahin Gjeçukajn, që sapo ishte kthyer nga emigracioni, më 23 prill 2011, dy familjet ishin në hasmëri. Për këtë arsye, hakmarrja është pista kryesore e hetimit, pasi nga verifikimet që janë kryer nga Policia, nuk rezulton që Ymer Hajdari të ketë pasur ndonjë problem personal apo në punë.
Atentati

Makina e policit pas ngjarjes

Në orën 06:30 të mëngjesit të djeshëm, polici i Burgut 313 ka dalë nga apartamenti ku banonte me qira, në një pallat të ri, që ndodhet në Unazën e Re, në Tiranë. Rreth kësaj ore ai nisej gjithmonë për të shkuar në vendin e tij të punës dhe, me sa duket, lëvizjet e tij ishin studiuar më parë nga autori i ngjarjes. Hajdari ka hipur në makinën e tij Seat ngjyrë gri, me targë AA 762 AD, të cilën e kishte parkuar poshtë pallatit. Por ende pa arritur ti japë mirë gaz për të nisur udhëtimin drejt punës, personi që i kishte zënë pritë, i ka dalë para makinës duke e qëlluar tri herë nga xhami i përparmë. Tre plumbat, që kanë goditur 54-vjeçarin në pjesën e kraharorit, e kanë lënë të vdekur në vend. Policia është lajmëruar për ngjarjen nga një dëshmitar, i cili pasi ka dëgjuar të shtënat, i ka telefonuar policisë, duke njoftuar se ishte vrarë roja i sigurisë së bankës. Por me mbërritjen e policisë, situata është sqaruar, pasi ngatërresa ishte krijuar për shkak se vendi i ngjarjes ndodhej pikërisht para bankës së nivelit të dytë. Policia ka nisur menjëherë hetimet për vrasjen, duke bërë këqyrjen e vendit të ngjarjes dhe ka shoqëruar për të marrë në pyetje dëshmitarët e paktë që ndodheshin pranë vendit të krimit.
HETIMI
Sipas burimeve zyrtare të Policisë së Tiranës, vrasja e policit të Burgut 313, Ymer Hajdari, dyshohet të jetë kryer për hakmarrje. Një vit më parë, mbrëmjen e 23 prillit 2011, nipi i tij, Alket Hajdari, ka vrarë në një lokal në Mamurras, emigrantin Shahin Gjeçukaj, 40 vjeç, nga Burreli. Për këtë vrasje, të cilën ai e ka pranuar dhe është dorëzuar menjëherë në polici, Alket Hajdari, i cili gjithashtu ishte polic i Burgut të Fushë-Krujës, vuan dënimin në Burgun e Lezhës. Nisur nga hasmëria mes familjes nga Mamurrasi me atë nga Burreli, Policia e Tiranës, me mbështetjen e forcave RENEA, ka kryer dje disa shoqërime në dy zonat ku banojnë pjesëtarët e fisit Gjeçukaj.

Me uniformë
Efektivi i policisë së Burgut 313 në Tiranë ishte i veshur me uniformë në momentin kur u qëllua për vdekje me 3 plumba, para pallatit ku banonte. Trupi i pajetë i 54-vjeçarit u gjet nga policia i përkulur mbi timonin e makinës Seat, me targë AA 762 AD, ku kishte hipur pak sekonda para se të ekzekutohej. Viktima ishte nisur për në vendin e tij të punës, në Burgun 313 në rrugën Jordan Misja dhe u qëllua për vdekje nga xhami i përparmë i makinës.

Transferimi
Një pjesë e familjes Hajdari ka qëndruar e ngujuar nga hasmëria për ngjarjen, edhe pse autori Alekt Hajdari që është nipi i viktimës Ymer Hajdari, ishte vetëdorëzuar pas krimit, duke dëshmuar se vrasjen e kishte kryer nga pakujdesia dhe se ishte në gjendje të dehur. Megjithatë, për të shmangur përballjen me fisin tjetër, Ymer Hajdari mendoi të largohej nga Mamurrasi, duke kërkuar edhe transferim në Burgun 313 në Tiranë.

RENEA shoqëron 15 persona të dyshuar

Vendi ku ndodhi vrasja dje në Tiranë

Forcat speciale të policisë kanë shoqëruar disa persona të dyshuar dje, pas sigurimit të informacioneve në lidhje me autorin e vrasjes së policit të Burgut 313, Ymer Hajdari. Efektivat e Policisë së Tiranës dhe forcat speciale RENEA u drejtuan në Mamurras e Burrel, ku jetojnë pjesëtarët e fisit Gjeçukaj, mes të cilëve dyshohet të jetë autori i ngjarjes. Policia ka shoqëruar për të marrë në pyetje 15 persona, burra, gra e të afërm të Shahin Gjeçukajt, që u vra nga nipi i viktimës një vit më parë në Mamurras. Ndërsa burimet thanë se gjatë kontrollit të banesave nuk është gjetur vëllai i Shahin Gjeçukajt, që është një prej të dyshuarve kryesorë për ngjarjen. Fakti që vëllai i viktimës nuk është gjetur, pavarësisht se nga të dhënat rezulton që nuk është larguar nga Shqipëria, ka shtuar edhe më shumë dyshimet e Policisë drejt pistës së hakmarrjes. Oficerët e grupit hetimor u kanë marrë një nga një të shoqëruarve dëshmitë dhe alibitë, në lidhje me veprimet e tyre gjatë mbrëmjes së të hënës dhe mëngjesit të djeshëm, kur u vra polici Hajdari.

Familja Hajdari, prej një viti e ngujuar
MAMURRAS – Pas vrasjes së ndodhur më 23 prill 2011 në një lokal në qendër të Mamurrasit, pavarësisht se personi i arrestuar, Alket Hajdari, pranoi autorësinë, duke pohuar se ngjarja kishte ndodhur nga pakujdesia, familja Hajdari dhe ajo e viktimës Shahin Gjeçukaj u futën në hasmëri. Pjesa më e madhe e familjes Hajdari u ngujua pas vrasjes nga frika e hakmarrjes. Ky ka qenë edhe motivi që Ymer Hajdari, i cili u vra dje në Tiranë, kishte kërkuar transferimin nga Burgu i Krujës, për tu emëruar në Burgun 313, ku punonte prej më shumë se gjashtë muajsh. Ymer Hajdari është babai i tre djemve, më i madhi 22 vjeç, dy të tjerët të mitur. Ai vetë jetonte në një apartament me qira, në pallatin para të cilit u ekzekutua, ndërsa bashkëshortja dhe djemtë jetojnë në lagjen Drita të Mamurrasit. Ndërsa familja Gjeçukaj jeton në zonën afër rajonit të policisë së Mamurrasit. Dy familjet pas ngjarjes kishin nisur bisedimet për të mbyllur hasmërinë, por marrëveshja nuk ishte arritur. Ym

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›