E Shtunë, 31 Tetor 2026

Histori personale në ekspozitën e studentëve të Grafikës

Nga ekspozita Grafikart në Galerinë FAP

Më shumë se ekspozita në vetvete, ai që ka më shumë rëndësi është procesi. Të qenët nën presionin e publikimit i bën ata më të përgjegjshëm, më kërkues, pse jo edhe më të rëndësishëm. Grafikart titullohet ekspozita që studentët e Ateliesë së Grafikës pranë Fakultetit të Arteve Pamore, e drejtuar nga pedagogët Ali Oseku e Ardian Isufi, hapën në Galerinë FAP. Më së shumti studentët ishin nisur nga eksperienca personale. Kishin zgjedhur copëza fëmijërie, apo pak nga përditshmëria e tyre. Kështu, dikush kërkon në sirtarët e jetës së vet kujtime, situata, që nuk janë të huaja edhe për vizitorin. Të tjerë janë zgjedhur të vizatojnë portretet e shokëve të fëmijërisë apo të grupit. Dikush u qëndron besnik portreteve buçkane, prej të cilave sot ka mbetur vetëm imazhi në fotografi, një tjetër i transformon ato në personazhe të animuar, apo u fshin tiparet dhe i identifikon vetëm me ngjyrën e preferuar. Një vajzë nga Rrësheni ka zgjedhur që një set porcelanesh ti vizatojë me motive të zonës së saj, duke i kthyer këto enë të bardha, që mund ti ketë kushdo, në objekte shumë të identifikueshme dhe personale. Nga situatat intime kalohet tek ato më të përgjithësuarat. Njëra prej studenteve ka përzgjedhur si objekt të punës së saj mollën e mëkatit, por ndryshe nga historia e Zanafillës në Bibël, nuk kemi vetëm një Adam dhe një Evë, por turma njerëzish që e kafshojnë mollën e ofruar nga të tjerët, duke i bërë pre të gënjeshtrës. Nuk mungon ndjeshmëria ndaj natyrës, e personifikuar prej trupa pemësh, mbi lëkurën e të cilëve lë shenjë koha, kafshët e më së shumti njeriu. Vajzat sheqin dorë nga elementi modë, edhe pse kur flitet për çantat, ato i tejkalojnë kufijtë e një tendence apo marke, sepse në shumicën e herëve bëhen të rëndësishme për çka mbajnë brenda, por në të njëjtën kohë janë edhe tregues karakteri. Prej çantës që mban një femër, mund të kuptosh shumë mbi të. Por luhet edhe me simbolikën e lëvizjes, të kohës që ikën, e cila mund të jepet përmes një palë atletesh, që duket sikur kanë marrë vrapin, por edhe ca vizatimeve në formë rrethore, që të krijojnë idenë sikur jeta të kalon para syve me shpejtësi. Për kuratorin e ekspozitës, pedagogun Ardian Isufi, kjo ekspozitë është një përballje e shkollës tradicionale të Grafikës me elementet më të reja, të cilat eksperimentojnë me format, teknikat dhe ofrohen në formën e  instalacioneve. Pavarësisht se sa ditë qëndron e hapur për publikun, ngritja e një ekspozite krijon një marrëdhënie tjetër mes pedagogut dhe studentit. Ndërtohet një marrëdhënie më e afërt, në një kohë që vetë studentët, jo vetëm vihen në pozita pune, por duke i përballur me publikun, bëhen më të përgjegjshëm. Veç të tjerash funksionon edhe si stimul për ta, ndaj edhe e praktikojmë shpesh këtë metodë pune, thotë Ardian Isufi.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›