E Diel, 1 Nëntor 2026

Fitojnë pafajësi nëntë muaj pas arrestimit për vrasje

Edison Demiri, i liruar nga gjykata

Gjykata: Nuk ka prova. I liruari: Do kërkoj dëmshpërblim. E vrau i biri.

Korçë, 3 të rinj u akuzuan se qëlluan për vdekje 78-vjeçarin.

Tre të rinj nga Pojani i Korçës kanë fituar pafajësinë, pasi ishin akuzuar për një vrasje të ndodhur 9 muaj më parë. Gjykata e Korçës u ka hequr prangat 2 të rinjve të akuzuar për vrasjen e një 78-vjeçari korrikun e shkuar dhe i ka mundësuar pafajësinë edhe shokut të tyre, i cili ishte me detyrim paraqitjeje. Bledian, Edison dhe Marinel Demiri janë liruar në sallën e gjyqit pas një procesi gjyqësor të përmbyllur me pafajësinë e tyre në lidhje me vrasjen e Ali Zenelit në Pojan. Sipas Gjykatës, edhe pse Prokuroria i akuzoi dhe kërkoi dënimin me 18 vjet për të tre, nuk ka pasur asnjë provë apo argumentim bindës që ti lidhte ata me krimin. Ngjarja, e cila sipas Policisë implikonte në vrasje tre të rinjtë, kishte te bënte me një konflikt mes djalit të viktimës dhe tre autorëve, por pas vendimit të gjykatës autori i vërtetë i krimit rezulton të jetë i lirë. Gjykata ka marrë për bazë analizat e gjakut, sipas të cilave njollat e gjetura në rrobat e të akuzuarve nuk ishin të viktimës.
Pasi janë rikthyer pranë familjes, Edison dhe Marinel Demiri tregojnë se kjo që ndodhi, përveçse u ka shkaktuar shumë tronditje, i ka bërë ta shohin drejtësinë si shumë të vonuar. Teksa deklarojnë se do të kërkojnë dëmshpërblim për çdo ditë të kaluar në burg padrejtësisht, hedhin dyshim se autori mund të jetë vetë djali i viktimës Petrit Zeneli. Edison Demiri, i cili sapo i ka shpëtuar një dënimi që mund ta privonte për 7 vjet nga liria, nuk heziton aspak të tregojë se në komisariatin e Korçës i është nënshtruar dhunës së madhe fizike dhe psikologjike për orë të tëra.
Sapo keni fituar lirinë, si ndiheni?
I kënaqur dhe i dëshpëruar njëkohësisht. E vërteta doli në shesh, por mua mu deshën të qëndroj plot 8 muaj e gjysmë larg familjes, bashkëshortes dhe djalit tim.
Pse jeni akuzuar si autorë të këtij krimi?
Ne kemi pasur një konflikt me djalin e Ali Zenelit. Jemi zënë tek lokali i fshatit, por gjithçka e mbyllëm atje. Sherri nisi dhe përfundoi në të njëjtin vend.
Pse ju arrestoi policia?

Shtëpia ku u vra i moshuari, Ali Zeneli

Nuk e di se si ndodhi. Kam qenë duke fjetur kur erdhi policia dhe më mori. Nuk më sqaruan pse dhe nuk pyetën për asgjë. Djali 3-vjeçar ishte në gjumë, e tmerruan dhe atë me sjelljen e tyre harbute.
Ku ju çuan?
Në komisariat. Atje më kanë rrahur barbarisht, një muaj nuk haja dhe nuk pija dot asgjë, pasi më kishin goditur keqas nofullën.
Pse ju rrahën?
Më kërkonin të pranoja krimin, por unë nuk kisha bërë ndonjë krim.
Po tani çfarë kërkoni?
Të drejtën. Dua të dëmshpërblehem për çdo dëm që më është shkaktuar, për çdo ditë që qëndrova jashtë shtëpisë sime. Dua edhe të arrestohet autori i vërtetë i ngjarjes. Ai është djali i viktimës. Petrit Zeneli mashtroi policinë dhe na akuzoi ne, por në të vërtetë e vrau ai. Të gjithë në fshat më njohin se kush jam unë e se kush është ai. Ai njihet si përdorues droge, madje është dënuar për shitjen e saj. Petrit Zeneli u kërkonte prindërve të shisnin shtëpinë, por ata nuk e bënin nga frika se lekët do i përdorte për drogë. Për këtë grindeshin shpesh mes tyre.

Policia
Pas vendimit të Gjykatës së Faktit, Policia e Korçës do tu drejtohet hallkave të tjera të sistemit gjyqësor. Një zyrtar i Policisë tha se çështja do të drejtohet në Apel, pasi autorët e vetëm të krimit janë Edison dhe Marinel Demiri. Nuk mund të vihet në dyshim që ata janë autorët e vetëm të krimit. Konflikti ka ndodhur mes tyre dhe djalit të viktimës, kështu që Gjykata e Apelit duhet të japë fjalën e saj në lidhje me këtë çështje. Nga hetimet tona, autorët e krimit janë të arrestuarit, por nëse drejtësia i shpall ata të pafajshëm, akuzat do të drejtohen tek djali i viktimës, pretendim ky i ngritur nga të akuzuarit. Për momentin duhet të presim të shprehet gjykata.

KORÇE/ DHORJELA DEMKOLLI

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›