E Diel, 1 Nëntor 2026

Shfaqen Martirët e gjyqeve speciale komuniste 45-47

Regjisori Saimir Kumbaro

Sot në kinemanë Marubi, dokumentari i Kumbaros.

Disa nga proceset më të famshme gjyqësore vijnë përmes një materiali të pasur fotografik.

Sistemi diktatorial në Shqipëri u ngrit mbi kulturën e spastrimeve. Këtë e tregoi qysh në muajt e parë, kur vuri në shënjestër elitën e shoqërisë. Në vitin 45, spastrimi u zyrtarizua. Kësaj periudhe regjisori Saimir Kumbaro i kushton një dokumentar me skenar të Uran Butkës, të titulluar Martirët. Dhe ka zgjedhur ta shfaqë pikërisht sot në mbrëmje në kinemanë Marubi. Një ditë që nuk mund të quhet edhe aq e rastësishme, duke qenë se sot është pikërisht 11 prill, që në histori shënohet si ditëvdekja zyrtare e ish-diktatorit Enver Hoxha. Në dokumentarin e tij, Kumbaro na ofron përmes një materiali të ngjeshur dokumentar vitet e para të çlirimit. Bëhet fjalë për vitet 45, 46 dhe 47. Gjithçka nisi si një ndëshkim ndaj bashkëpunëtorëve me fashizmin, por shënjestra nuk ishin vetëm ata, por të gjithë intelektualët që shfaqnin bindje antikomuniste. Si fillim u arrestuan 60 intelektualë, për të vijuar më pas me shumë të tjerë. Përgjatë 45 minutave dokumentar shfaqen dokumente të nxjerra nga Arkivi i Ministrisë së Brendshme, të cilat rrëfejnë për gjyqet komuniste, si ato kundër grupit të deputetëve social-demokratë, gjoja vendosësve të bombës në Ambasadën Sovjetike, të akuzuarve si agjentë anglo-amerikanë. Sipas Kumbaros, 45 minuta janë të mjaftueshme për të treguar filozofinë e dhunës, që mbolli diktatura komuniste qysh në fillimet e saj. Dhe kjo rrëfehet prej materialeve dokumentore që na kanë mbërritur deri më sot prej gjyqeve farsë, që zhvilloheshin nëpër sallat e kinemave dhe të teatrove, si Kosova, 17 Nëntori, Nacional. Gjyqet ushtarake aso kohe u kthyen në shfaqje masive për publikun. Madje, nuk mjaftonin sallat e mbushura përplot me spektatorë, por seancat përçoheshin edhe përmes megafonave, që sa më shumë njerëz të dëgjonin poshtërimin që u bëhej të akuzuarve. Shumë përfunduan të pushkatuar, në litar, apo burgjeve, si në rastin e shkrimtares dhe deputetes socialdemokrate Musine Kokalari, e dënuar me 20 vjet burg. Janë kryesisht fakte të njohura, emra personalitetesh, të cilët deri në momentin e çlirimit gjallonin jetën politike të vendit. Veç Kokalarit dhe kolegëve të saj si Sami Celibashi, Qenan Dibra, flitet edhe për personalitete të tjera, si Fejzi Alizoti, Bahri Omari, Sabiha Kasimati, e shumë e shumë të tjerë. Por nuk janë vetëm gjyqet, por edhe proceset hetimore, procedurat e marrjes në pyetje. Përmes fotografive do të vijnë pamje shokuese, të cilat dëshmojnë për torturat që ushtroheshin ndaj të pandehurve. Dhe rezulton të kenë qenë 18 lloje torturash fizike e psikologjike. Pamjet nuk kanë nevojë për shumë koment, ato flasin qartë për sistemin e dhunës që po instalohej në Shqipëri, por Kumbaro e vë theksin më së shumti tek ajo pjesë e shoqërisë elitare, që përbënte edhe trurin e kombit. Regjisori nuk pretendon që me këtë dokumentar ti thotë të gjitha. Shumë ngjarje të asaj kohe, mes të cilave shumë gjyqe e dënime, nuk i ka përfshirë në këtë 45-minutësh, me shpresën që pas tij të vijojnë të tjerë filma, që hedhin dritë mbi periudhën e diktaturës. Ky dokumentar, prodhim i SK Film, është mbështetur nga Qendra Kombëtare e Kinematografisë dhe u bashkëngjitet aktiviteteve për 100-vjetorin e Pavarësisë.

ALMA MILE

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›