Ekzekutohet vendimi për rritje të pagave

Edhe pse pagat nuk janë dhënë gjatë ditës së hënë, zyrtarët nga Qeveria e Kosovës, kanë njoftuar se është ekzekutuar vendimi i 6 janarit për rritje të pagave për të gjithë të punësuarit që marrin paga nga buxheti i shtetit.
Zëdhënësi Memli Krasniqi tha se Qeveria është e përkushtuar seriozisht për mirëqenien e qytetarëve dhe në kuadër të kësaj edhe ka ekzekutuar vendimit për rritje të pagave për të gjitha ato kategori të të punësuarve për të cilat është vendosur më herët nga kryeministri Hashim Thaçi.
Sidoqoftë bazuar në vendimin e Qeverisë së Kosovës nga ky muaj paga e mësimdhënësve do të jetë 50 për qind më e madhe se që ka qenë deri në fund të vitit të kaluar, kurse edhe familjet e dëshmorëve dhe invalidëve të luftës së UÇK-së do të përfitojnë nga kjo ngritje prej 50 për qind.
Ndërkaq pjesëtarët nga Policia e Kosovës do të kenë rritje prej 40 për qind, shërbyesit civilë 30 për qind, zyrtarët doganorë 30 për qind, punëtorët shëndetësorë 30 për qind dhe zjarrfikësit 30 për qind.
Po ashtu edhe sistemi i drejtësisë dhe minatorët do të kanë një ngritje pagash bazuar në premtimet gjatë fushatës së zgjedhjeve të 12 dhjetorit të kryeministrit në largim, Hashim Thaçi, të cilat premtime u kthen në vendime të Qeverisë në fillim të këtij muaji.