Thaçi: Pas certifikimit të rezultateve, qeveria e re

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Hashim Thaçi nuk ka dashur të hënën të flas nëse u ka bërë oferta partive politike pas publikimit të rezultatin përfundimtar të zgjedhjeve nga ana e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, mirëpo ai ka thënë se qeveria e re do të formohet menjëherë pas certifikimit të rezultateve.
Kryeministri në dorëheqje ka thënë se ajo që është më e rëndësishme në këtë fazë, është se dihet botërisht legjitimiteti i qytetarëve të vendit.
“Me rëndësi është që KQZ-ja ka shpallur rezultatin e zgjedhjeve të përgjithshme dhe tani definitivisht dihet botërisht legjitimiteti i qytetarëve të vendit. Partia fituese me një rezultat bindës është Partia Demokratike e Kosovës. E ritheksoj edhe njëherë se menjëherë me certifikimin e rezultatit zgjedhor do të kemi edhe qeverinë e re shumetnike, shumëpërfshirëse në kuptimin politik dhe e standardeve euroatlantike”, është shprehur Thaçi, siç transmeton Kosovapress.
Ndërkaq, Isa Mustafa ka thënë se në LDK ka një qëndrim unik kundër hyrjes në koalicion me PDK-në.
Ai ka thënë se nuk ka ndonjë ofertë konkrete nga PDK-ja, por nëse do të ketë LDK-ja do t’i përgjigjet ftesës, por jo për të marrë pjesë në negociata për koalicion qeverisës.
“Ftesë nuk kemi marrë. Natyrisht se LDK-ja do të përgjigjet në çdo ftesë të cilën e merr, por kjo nuk do të thotë assesi se ne do të hyjmë në negociata për koalicion me Partinë Demokratike”, ka thënë Mustafa.
Ai ka mohuar mundësinë që brenda partisë së tij të ketë deputetë të tillë që pas hyrjes në Kuvend do të largohen nga grupi parlamentar i LDK-së për t’iu bashkuar koalicionit qeverisës.
Një gjë e tillë, siç ka thënë Mustafa, nuk i bën mirë as vetë qeverisë e as imazhit të institucioneve të Kosovës.