Ekzekutoi gruan e tij/ Gjendet i vetëvrarë në Maliq, 55-vjeçari Gjergji Mullalli

Gjergj Mullalli, i cili vrau bashkëshorten e tij Luiza Mullalli 46- vjeçe, në Zëmblak të Maliqit është gjendur i vetëvrarë.
Ngjarja e rëndë ndodhi mbrëmjen e djeshme teksa policia bëri të ditur se “në një gropë septike pranë banesës së saj, është gjetur e pajetë, shtetasja L. M., 46 vjeçe”.
“Nga hetimet paraprake të kryera dyshohet se autori i kësaj ngjarjeje është bashkëshorti i saj shtetasi Gj. M. Nga ana e Policisë janë ngritur grupe kontrolli me qëllim kapjen e tij”, shkruhej në njoftimin për shtyp të policisë.
Pas krimit autori u largua nga vendngjarja, ndërsa forca të shumta policie u vendosën në kërkim të tij derisa mëngjesin e sotëm ai është gjendur i vetëvrarë në shtëpinë e kushëririt të tij.
“Pas kërkimeve të pandërprera dhe kontrollit të territorit me qëllim kapjen e shtetasit Gj. M., i cili një ditë më parë vrau me armë zjarri bashkëshorten e tij, shërbimet e Policisë të DVP Korçë dhe Komisariatit të Policisë Maliq bënë të mundur lokalizimin në një banesë të braktisur, në fshatin Zëmblak, të këtij shtetasi.
Sapo ka konstatuar se ka qenë i rrethuar nga forcat e Policisë 55-vjeçari, ka hapur disa herë zjarr ndaj punonjësve të Policisë.
Pas thirrjeve të njëpasnjëshme të Policisë për t’u dorëzuar, ky shtetas është vetëvrarë.
Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje për të kryer veprime të mëtejshme në lidhje me këtë ngjarje”, njofton policia.
Arsyet që e çuan Gjergji Mullallin të kryejë vrasjen mbeten të paqarta, por nga të dhënat paraprake mësohet se jeta bashkëshortore e tyre ishte në krizë dhe çifti ishte në proces divorci.
/rtsh.al/