E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ekzistojnë çështje shqetësuese

03/03/2010 Publikohet raporti mbi racizmin e nivelin e trajtimit të pakicave në Shqipëri

Progresi i miratimit të legjislacionit kundër diskriminimit mbetet i ngadaltë

Komisioni Evropian kundër Racizmit dhe Intolerancës (ECRI), vlerëson si shqetësues fenomenin e racizmit në Shqipëri. Në mënyrë të veçantë një paragraf i veçantë në raport zë trajtimi i romëve dhe egjiptianëve. Kështu, thuhet se romët dhe egjiptianët vazhdojnë të përballen me vështirësi serioze sociale dhe ekonomike, me nivele më të larta papunësie në krahasim me pjesën tjetër të popullatës dhe kushte jetese jashtëzakonisht të pasigurta. “Ekziston një raport i lartë i zhdrejtë në lidhje me braktisjen e shkollës në këto komunitete, i cili e rrit cenueshmërinë e tyre nga trafikimi. Vazhdojnë të raportohen dëbime të familjeve rome nga shtëpitë e tyre, pa u dhënë një strehim adekuat alternativ. Përveç kësaj, indiferenca e disa politikanëve ndaj këtyre çështjeve – veçanërisht në nivel lokal – përkeqëson margjinalizimin e këtyre komuniteteve dhe pengon zgjidhjen e problemeve të tyre të përditshme”, thuhet në raport. ECRI vlerëson se, megjithëse Komiteti Shtetëror për Minoritetet ka përftuar eksperiencë, ai prapë kritikohet për mungesën e efektivitetit dhe për faktin që në të nuk përfaqësohen të gjitha grupet minoritare. Raporti thekson se duhet të vendosen procedurat e azilit dhe nuk ka ende një sistem të pavarur për hetimin e pretendimeve të keqtrajtimeve nga policia

Komisioni Evropian kundër Racizmit dhe Intolerancës (ECRI), organ i pavarur monitorues për të drejtat e njeriut, pjesë e Këshillit të Evropës, i specializuar në luftën kundër racizmit, diskriminimit racial, ksenofobisë, antisemitizmit dhe intolerancës, në raportin e fundit mbi Shqipërinë thekson se ekzistojnë çështje të cilat vazhdojnë të jenë shqetësuese. Raporti thotë se ndërsa ka pasur përmirësime në disa fusha, të tjera çështje vijojnë të përbëjnë shqetësim. Në këtë raport theksohet se ndërgjegjësimi mbi diskriminimin mbetet në tërësi në nivel të ulët. Megjithëse ECRI nënvizon se shumë persona mendojnë që ky fenomen nuk ekziston në Shqipëri, sepse ligji e parashikon që të gjithë qytetarët janë të barabartë, mbetet i ngadaltë progresi drejt miratimit të një legjislacioni të plotë kundër diskriminimit, përfshirë fusha si strehimi, kujdesi shëndetësor dhe aksesi në shërbimet publike. Raporti thekson se nuk ka një strukturë në Shqipëri që ka shprehur përgjegjësinë për të luftuar diskriminimin racial. Gjithashtu, përpiluesit e këtij raporti ndalen edhe tek trajtimi i komuniteteve të minoritarëve në vendin tonë. Sipas raportit, mbetet për t’u ngritur një sistem koherent për mbledhjen e të dhënave mbi situatën e grupeve minoritare..

Rekomandimet

Komisioni Evropian kundër Racizmit dhe Intolerancës në raportin e publikuar dje bën një numër rekomandimesh, të cilat thekson se duhet të merren në konsideratë në dy vjetët e ardhshëm. Sipas ECRI, duhet të prezantohet legjislacioni i plotë civil dhe administrativ kundër diskriminimit të drejtpërdrejtë dhe indirekt. Gjithashtu, kërkohet që të vendosen objektiva të qartë dhe të vlerësohet progresit i bërë në sigurimin e aksesit të përshtatshëm në strehim i shtresës së prekur nga fenomeni. Komisioni Evropian kundër Racizmit dhe Intolerancës rekomandon që nga shteti shqiptar të kryhet sigurimi i mbështetjes me gjuhën shqipe të fëmijëve romë përpara hyrjes së tyre në shkollën fillore.

Masat e marra

Raporti thotë se janë miratuar një numër masash për të përmirësuar situatën e komunitetit rom, përfshi këtu hapa që kanë të bëjnë me kushtet e strehimit dhe arsimimit dhe për të përmirësuar aksesin në institucionet e kujdesit shëndetësor. Gjatë vitit 2008, ligji është ndryshuar për të lehtësuar regjistrimin e të gjithë fëmijëve, përfshi ata për të cilët afati përkatës kishte kaluar. Gjithashtu thuhet se Kodi Penal i Shqipërisë tashmë parashikon që krimi i motivuar nga racizmi është një rrethanë rënduese dhe ndalon deklaratat raciste apo ksenofobe në internet. Anëtarët e gjyqësorit apo zyrtarët e policisë, duke përfshirë ata që janë përgjegjës për migrimin dhe kufirin, marrin trajnime të rregullta mbi të drejtat e njeriut.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›