E Diel, 1 Nëntor 2026

Zhduken 2 femra dhe një burrë në Durrës

03/03/2010 Denoncojnë në polici të afërmit

DURRES- Dy femra të moshës 24 vjeçe dhe një burrë janë zhdukur pa lënë gjurmë në familje dhe tek të afërmit. Policia është vënë në kërkim të Lutfi D. 56 vjeç banues në lagjen numër 3 të qytetit dhe dy femrave: Mimoza Q. 24 vjeçe dhe Mariana M. Një ditë më parë një e afërt e burrit të humbur ka shkuar në banesën e kushëririt dhe pasi nuk e ka gjetur ka denoncuar fenomenin në polici. Sipas burimeve policore, ky shtetas i lindur dhe banues në lagjen numër 3 të Durrësit nuk ka pasur probleme të ekuilibrit mendor, ndërsa jetonte i vetëm në banesë. Deri më tani nuk ka asnjë konfirmim zyrtar lidhur me shkaqet e largimit të papritur të 56-vjeçarit. Gjatë kontrollit të apartamentit të tij nuk është gjetur asnjë shenj e dyshimtë, megjithatë krahas variantit të largimit si pasojë e vetmisë po hetohet edhe në mundësinë e një krimi. Po dje në polici, thuajse në të njëjtën kohë kanë mbërritur dy qytetarë, të cilët kanë denoncuar humbjen e vajzave. Të dy vajzat janë larguar në të njëjtën ditë nga shtëpia duke mos bërë asnjë njoftim. Më datë 26 shkurt shtetasja Mimoza Q. e lindur në Durrës dhe banuese në një fshat të Beratit është larguar nga shtëpia e prindërve. 24-vjeçarja është e martuar dhe prindërit e saj kanë bërë denoncimin vetëm pasi kanë mësuar se ajo nuk ishte në shtëpinë e burrit. Për të fundit herë, një javë më parë, ajo u ka thënë prindërve se do të udhëtonte me autobusin e linjës për në shtëpinë e saj, por disa ditë më pas nuk u është përgjigjur prindërve në telefon. Mimoza Q. duket se ishte parapërgatitur për të braktisur shtëpinë e prindërve dhe të burrit, pasi ajo është kujdesur për të mos lënë asnjë gjurmë në disa ditë. Kështu pala e burrit mendonte se 24-vjeçarja ishte tek prindërit në Plazh, kurse prindërit besonin e ajo kishte arrirë në kohë tek burri. Thuajse të njëjtin fat ka pasur edhe familja e 24-vjeçares tjetër e lindur dhe banuese në lagjen numër 11 të qytetit. Edhe në këtë rast vajza e shtëpisë është larguar nga shtëpia më datë 26 shkurt, një javë më parë dhe që nga ajo ditë nuk ka dhënë asnjë sinjal për vendin e strehimit. Pasi policia ka marrë kallëzimin e nënës së vajzës kanë nisur të kërkojnë në disa pika të dyshimta. Në të dy rastet kanë qenë nënat, të cilat kanë trokitur në polici, ndërsa agjentët e policisë kanë nisur të kërkojnë vajzat e humbura.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›