El Baradei kritikon vendimin për Mubarakun

Disidenti egjiptian dhe laureati i çmimit Nobel, Muhamed El Baradei, kritikoi detajet e vendimit kundër presidentit të rrëzuar, Hosni Mubarak dhe ish-zyrtarëve të ministrisë së Brendshme, duke thënë se kjo ishte një mënyrë për ta “dështuar revolucionin”, duke iu referuar lirimit të gjashtë ish-zyrtarëve të regjimit.
Mubarak u dënua të shtunën me burgim të përjetshëm nën akuzat për vrasjen e protestuesve.
Me burgim të përjetshëm u dënua edhe ish-ministri i Brendshëm i Egjiptit, Habib al-Adli.
Më vonë, qindra protestues kanë okupuar sheshin Tahrir të Kajros në një protestë kundër dënimit të ish-presidentit Hosni Mubarak dhe shefave të tij të sigurimit.
Disa nga protestuesit kanë fjetur në çadra gjatë natës në shesh, që është epiqendra e revoltës kundër regjimit, revoltë kjo që në vitin e kaluar rrëzoi pas tri dekadash në pushtet Mubarakun.
Protestuesit dënojnë lirimin e gjashtë bashkëpunëtorëve të Mubarakut.