E Shtunë, 31 Tetor 2026

Elbasan, Bashkia, "OK" xhamisë së Ballies

Nga Fatmir Popja
Në qendër të qytetit të Elbasanit, në ish-trojet e Komunitetit Mysliman, do të ringrihet xhamia "Ballie", objekti më i madh i kultit për këtë besim në Ballkan. 

ELBASAN- . Dje, në mbledhjen Këshillit të Rregullimit të Territorit të Bashkisë, mes shumë kërkesave të tjera, u miratua dhe kërkesa e Myftinisë së Elbasanit për leje ndërtimi të objektit të kultit. Miratimi i lejes ishte një sihariq i shumëpritur për besimtarët, të cilët pasi rimarrin truallin e tyre pas 40 vitesh, sigurojnë dhe lejen për ringritjen e objektit të lashtë të kultit. Për Qazim Sejdinin, kryetarin e Bashkisë, "rikthimi i pronës Komunitetit Mysliman dhe miratimi i lejes së ndërtimit, është një e drejtë e tyre dhe detyrimi ynë". Ndërsa, Myftiu Agim Duka, teksa falënderon drejtuesit lokalë për vendimin, shprehet se kanë siguruar burimet financiare dhe vepra e lashtë dhe e njohur e kultit do të ringrihet në një kohë sa më të shkurtër. "Lajmi për ndërtimin e xhamisë më të madhe në Shqipëri gëzoi pa masë besimtarët, të cilët e përkrahën deri në fund Myftininë për arritjen e qëllimit final. Rikthimi i saj ishte një ëndërr për të gjithë ne, dhe pas shumë përpjekjesh, kemi arritur qëllimin final", - pohoi ai për "Gazeta Shqiptare".
PROJEKTI
Edhe pse drejtuesit e Myftinisë kishin marrë sinjal nga kreu i Bashkisë së Elbasanit në pragfestën e Bajramit që shkoi, pohojnë se ende kishin dyshime për dhënien e lejes për xhaminë nga KRRT-ja. Por, gjithçka shkoi në të mirë të tyre. Sipas projektit dhe idesë së klerikëve, xhamia "Ballie" do të jetë jo vetëm një vepër madhështore kulti, por dhe një qendër kulture në shërbim të besimtarëve e komunitetit. Myftiu Duka shprehet se në rindërtimin e xhamisë "janë marrë parasysh ruajtja e elementeve të dikurshëm dhe përshtatja e saj me kohën". Ndërtimi i xhamisë "Ballie" nisi me 17 prill të vitit 1608 dhe përfundoi me 6 prill të vitit 1609. Ajo ishte një faltore e stilit të lartë, pjesë e periudhës së dytë të arkitekturës islame, ku modeli klasik osman u përhap në të gjitha trevat e Rumelisë. Ajo është cilësuar si "xhamia Blu e Elbasanit". Elementë përbërës të saj, si salla e faljes, portiku, minarja etj, plotësohen me siluetën e një kupole gjysmësferike, me një tambur poligonal tetëkëndor. Elementi më tërheqës i xhamisë së 'Ballies' ka qenë minarja, e cila për nga lartësia, modelimi dhe ballkoni, ka qenë e vetmja e këtij lloji në Shqipëri. Xhamia 'Ballie' ndodhej pranë vendit ku sot është Teatri "Skampa". Komuniteti mysliman i Elbasanit ka pasur shumë kontestime për mospërfshirjen e objektit në planin urbanistik për qendrën e re të qytetit. Në truallin e xhamisë është vendosur, me anë të planit urbanistik, që të jetë gjithashtu dhe një hapësirë e gjelbër. Projekti i ri që do të nisë së shpejti, dhe sipas klerikëve myslimanë elbasanas, jo vetëm do të rikthejë konturet funksionale të objektit të lashtë, por do të përfshijë dhe elementët bashkëkohorë, duke qenë pjesë përbërëse organike e qendrës së qytetit.
BASHKIA
Sipas kryebashkiakut Sejdinit, Këshilli i Rregullimit të Territorit të Bashkisë, pas diskutimeve të gjata, vendosi lejimin e ndërtimit të xhamisë së 'Ballies', në qendër të qytetit. "Ky ishte një detyrim ligjor, por edhe një impenjim personal e shpirtëror për të rikthyer lavdinë e xhamisë së mrekullueshme të 'Ballies', një nga më të bukurat në vend dhe në Ballkan", - pohoi ai. Mësohet gjithashtu se Komunitetit Mysliman i është dashur një luftë e gjatë dhe e vështirë, së pari për të rimarrë truallin e kaluar në pronësi të shtetit që më 1967. Por, dhe pas vitit 1990, pengesat për kthimin e pronës hasën pengesa të shumta. Pas vitesh përpjekje, besimtarëve myslimanë u rikthehet prona, mbi të cilën do të ringrenë xhaminë "Ballie".
(s.g/GazetaShqiptare/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›