E Shtunë, 31 Tetor 2026

Elbasan, Berisha: Në zgjedhjet e 2013-s, Rama do të marrë disfatën më të thellë

Sali Berisha në inaugurimin e rrugës Gjinar Elbasan

Kreu i maxhorancës mendon se në zgjedhjet e ardhme parlamentare, që priten të mbahen në mesin e vitit 2013-të, e djathta do ti japë kahut kundërshtar disfatën më të thellë. Kryeministri Sali Berisha ka bërë këtë koment gjatë inaugurimit të rrugës Gjinar Elbasan.

Ai tha se opozita nuk po bën gjë tjetër veçse përpjekje për të penguar sukseset e qeverisë. Me këtë synim tha Berisha bëhen edhe propozimet. Pavarësisht kësaj Berisha nuk foli për paktin e integrimit të propozuar nga PS, por preku vetëm çështjen e ndryshimit të rregullores së Kuvendit.

Vëllezër, imagjinoni ju se çfarë propozon. Ai kërkon rregullore parlamenti, të shkuarën, me të shkuarën, me të djeshmen, jo të shkuarën e largët, por edhe e djeshmja na duket e largët. Ne shohim përpara. Urdhëro të marrim rregulloren  e parlamentit evropian dhe në qoftë se rregullorja e këtij parlamenti ka qoftë edhe një nen që nuk përputhet me rregulloren e tempullit të demokracisë evropian, urdhëro ta ndryshojmë, por ai nuk i do këto. Këto i ka thjesht farsë. Njëlloj si në vjeshtën e vitit 2009, tha Berisha nga Elbasani.

Sipas tij qëndrimet bëhet për të bllokuar çdo reformë të mundshme, gjë e cila tha Berisha do ti shkaktojë Ramës humbje të thellë në vitin 2013.

Ai i kërkon këto vetëm e vetëm që të shkojë drejt Kongresit dhe të marrë vendimet  e tij, vendime të cilat do i japin në 2013 disfatën më të thellë që ka njohur në tërë historinë e vet. Nuk do reformë zgjedhore, përkundrazi do me çdo kusht ta bllokojë atë. Me bllokimin, z. Rama ke shkuar nga disfata në disfatë. Je i bërë i famshëm në Shqipëri dhe në Evropë për disfatat e njëpasnjëshme që ke përjetuar nga e para, tek e fundit që ishte disfata personale, u shpreh kreu i PD-së duke i kujtuar edhe humbjen e Bashkisë së Tiranës.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›